Kreu i PD, Sali Berisha, do të paraqitet në SPAK në orën 09:00, në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje” dy herë në muaj, ku po sot pritet të zhvillohet edhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për kalimin ose jo të kësaj dosjeje për gjykim, transmeton Gazeta Papirus.
Më 27 prill, pala mbrojtëse kërkoi përjashtimin e gjyqtares së seancës paraprake, Flojera Davidhi, duke bërë që kjo e fundit ta ndërpriste seancën dhe ta shtynte atë me 12 ditë të tjera, për më 5 maj.
GJKKO sakaq e rrëzoi kërkesën për përjashtimin e Davidhit ku gjyqtarja Etleva Deda vendosi rrëzimin e kërkesave, pasi sipas saj nuk u gjetën shkaqe të përligjura mbi kërkesat e avokatëve.
Do të jetë pikërisht gjyqtarja Davidhi ajo që do të japë këtë të hënë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes “Partizani”.
Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, pati deklaruar se mbrojtja kërkoi largimin e gjyqtares Flojera Davidhi për “njëanshmëri të theksuar” në vendimmarrjen e saj të mëparshme, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj, raporton Euronewsalbania.
“Unanimisht morëm një vendim për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Davidhi. Vendimi i saj për të shpallur të pavlefshme kërkimet tona ishte një kaos gjyqësor, pa asnjë arsyetim të qartë mbi ligjshmërinë. Sot depozituam zyrtarisht kërkesën për përjashtimin e saj”, deklaronte Gjokutaj.
Dosja lidhet me hetimet mbi ish-funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”