Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së ishte paraparë që të nis sot në ora 09:00.
Në këtë mbledhje ishte paraparë raportimi i shefit të AKI-së, Petrit Ajeti, pas raportimeve për kërcënim me vrasje të ish-prokurorit, Dick Marty, e për të cilin u raportua se vrasja do t’i faturohej Kosovës nga inteligjenca serbe.
Mbledhja e paraparë e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së dështoi për shkak se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision nuk shkuan, e të pranishëm në këtë mbledhje ishin vetëm deputeti i AAK-së, Bekë Berisha dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Pas mosardhjes së deputetëve të VV-së, Berisha pati akuza të forta në drejtim të kryeministrit të Kosovës, të cilin e akuzoi se po e mban pozicionin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Postimi i plotë nga Berisha:
Paramendo kemi ardhur në një situatë ku Dick Marty ka heq dorë nga agjenda ruse/serbe dhe nga akuzat kundër UÇK-së, derisa Albin Kurti dhe VV-ja hala t’u e mbajt frontin. Sot, VV-ja e bojkotoi raportimin e shefit të AKI-së për këtë skandal ndërkombëtar, për të cilin Qeveria e jonë nuk e thotë asnjë fjalë. Albin Kurti tashmë është pozicionuar kundër UÇK-së dhe Amerikës edhe si kryeministër.