Besim Beqaj, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje nga posti aktual, ani pse ndaj tij është ngritur aktakuzë për rastin ‘Pronto’. Për këtë nuk ka reaguar as kreu i PDK’së Kadi Veseli.
Beqaj, sot e ka vazhduar avazin e vjetër sikur asgjë nuk është duke ndodhur. Ka nisur komunikata për media ku tregon për aktivitetin e tij.
Ai ka marrë sot pjesë në lansimin e programit “Elvator Lab Chalenge” iniciuar nga Banka Raiffeisen. Në hapje të këtij aktivitetit, në cilësinë e panalistit, ministri Besim Beqaj ka folur për rëndësinë e ndryshimit të qasjes në zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes digjitalizimit dhe përdorimit të inovacionit.
“Inovacioni është e ardhmja, por që realisht është edhe një sfidë të cilën duhet ta adresojmë të gjithë, marrë parasysh që mendimi ekonomik besoj që duhet të ndryshohet. Potenciali ynë per zhvillim ekonomik dhe për të eksportuar përmes ekonomisë digjitale, ku hyjnë është shërbimet bankare të cilat janë servis i aktivitetit ekonomik, është i rëndësishëm ”, theksoi ministri Beqaj.
Beqaj ka folur edhe për aktivitetet e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në lidhje me hartimin e kornizës ligjore dhe strategjike si bazë e mirë për përkrahje të inovacionit në shërbim të zhvillimit ekonomik. Beqa ka paralajmëruar se nesër në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të prezantojë një sër dokumentesh ligjore dhe strategjike, si dhe politikën për ndarjen e subvencioneve dhe grandeve në fushën e përkrahjes së inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Programi “Elevator Lab Challenge” do ta hapë fazën e aplikimit më 23 prill. Ky aplikim do të jetë i hapur për të gjitha ndërmarrjet nga Kosova të cilat kanë ide inovative në fushat e analizave të avancuara, shërbimeve bankare për biznese, teknologji të investimit dhe tregtisë, e të tjera.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur ditë më parë aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto” e ku shumica e zyrtarëve të përfshirë i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndër emrat që janë përmendur në aktakuzë është edhe ai i ministrit aktual të Inovacionit, Besim Beqaj.
Ai ka reaguar për këtë çështje, duke mos dhënë dorëheqje, por ka bërë me dije do të qëndrojë ende në institucionet e Kosovës.