Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin dhe shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahirin.
Përmes një statusi në Facebook, Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se shefi i BE-së në Kosovë, Szunyog, ka kërkuar nga përfaqësuesit e PDK-së mbështetje të menjëhershme për zbatimin e marrëveshjes, si rrugë drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
“Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u takua sot me Memli Krasniqin e #PDK-së dhe Abelard Tahirin për të diskutuar mbështetjen e opozitës për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet #Kosovës dhe #Serbisë dhe funksionimin efektiv të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Evropian është në proces të përgatitjes së Raportit të #Kosovës 2023 dhe ka disa fusha që kërkojnë përparim legjislativ në rrugën evropiane të Kosovës.
Koha është thelbësore pasi raporti mbulon periudhën deri më 06/2023”, thuhet në postimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.