Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar shteteve anëtare raportin e kërkuar për masat ndaj Kosovës. Megjithatë, BE po qëndron e mbyllur sa i përket përmbajtes së këtij drafti dhe diskutimeve për të.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka hezituar të përgjigjet nëse Borrell ka rekomanduar heqjen e masave dhe nëse heqja e tyre do të bëhet gradualisht, duke thënë se e gjithë procedura është konfidenciale.
“Raporti që Përfaqësuesi i Lartë i dorëzoi shteteve anëtare është një raport për diskutimet e tyre, të cilat janë të brendshme dhe konfidenciale. Ne nuk zbulojmë as përmbajtjen e raportit, as të diskutimeve”, tha Stano.
Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje tha se janë disa shtete që po e kërkojnë një mënyrë të tillë të heqjes së masave ndëshkuese.
“Ne shpresojmë që asnjë vend nuk do të ngrisë zërin që t’i kundërshtojë masat, për arsye se nuk ka pasë asnjë vend që është kundër heqjes së masave. Ka pasë dy-tri shtete që kanë preferuar heqje graduale të masave në dy shkallë, por jo që ka pasë të tillë të cilët kanë qenë kundër heqjes së masave, por shumica absolute e vendeve besojnë se vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë, mosvendosja e masave ndaj Serbisë ka qenë padrejtësia shtesë që i është bërë Kosovës”.
Sot është raportuar se në Bashkimin Europian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht pas diskutimeve që u zhvilluan më 19 qershor në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së (PSC), ku morën pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare.
Sipas burimeve, REL raportoi se shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç edhe ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, lidhur me hapat që Kosova ka ndërmarrë për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Para ndryshimeve të udhëheqjes brenda BE-së, kryediplomati Borrell bashkë me emisarin Miroslav Lajçak do të presin edhe një takim të radhës të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel pas një kohe të gjatë.
Për këtë takim, Stano dha disa detaje.
“Nga ana tjetër, mund të konfirmoj që një takim i nivelit të lartë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës do të zhvillohet në Bruksel të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri Kurti do të përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të kryesohet nga ndërmjetësi – Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Miroslav Lajčák”.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023. Disa ditë më vonë ndodhi sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë nga ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Për këtë sulm, Kosova në vazhdimësi ka kërkuar nga ndërmjetësit ta sanksionojnë Serbinë, ndërsa nga Serbia ekstradimin e pjesëtarëve të grupit terrorist për t’i vënë para drejtësisë.