Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar tetë persona lidhur me djegien e flamurit shtetëror, që nxiti reagime në shkallë të gjerë.
Incidenti ndodhi në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup, gjatë kremtimeve me rastin e 112 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që shqiptarët e kremtojnë edhe si festën e Flamurit Kombëtar.
Ministria e Brendshme tha se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç.
Partia shqiptare BDI, u shpreh se ishte policia ajo që nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit.