Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të termit “Kosovo dhe Metohija” nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviç, duke akuzuar koalicionin shqiptar VLEN për pranimin e gjuhës së Serbisë.
BDI-ja ka theksuar se ky rast përbën kulmin e degradimit politik të VLEN-it, duke qenë se kjo forcë politike është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet në Kosovë dhe gjithashtu, paraqet një shembull se VLEN-i nuk është përfaqësues i shqiptarëve.
“Pra, ata që garuan në zgjedhje duke u mburrur me mbështetjen e një partie politike në Kosovë, sot e pranojnë dhe përdorin gjuhën e Beogradit! Ky është kulmi i degradimit të tyre politik dhe poshtërimi i radhës për VLEN-in”, ka deklaruar të hënën BDI-ja.
“Sot, të gjithë e shohin se si kauza e tyre e dyshimtë përfundon në gjirin e propagandës serbe, duke dëshmuar edhe një herë se janë vetëm vegla të politikave të huaja dhe jo përfaqësues të denjë të shqiptarëve në këtë shtet!”, ka shtuar ky subjekt politik.
Ndryshe, përveç liderëve e funksionarëve të lartë në Serbi, ky nocion recidivist vazhdon të jetë gjithashtu pjesë e narrativës së popullsisë serbe që jeton në Kosovë, por edhe e politikanëve serbë në rajon, duke ushqyer tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve.