Bayern Munich ka dështuar sërish të marrë rezultat pozitiv, tani në Bundesligë. Mainz 05 me përmbysje të rezultatit në pjesën e dytë ka triumfuar ndaj bavarezëve me rezultat 3:1, kështu për t’ia rrezikuar kreun e tabelës këtyre të fundit.
Që nga ardhja e Thomas Tuchel te Bayern Munich, ata janë eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, Liga e Kampionëve dhe me një fitore të mundshme nga Dortmund sot, ata do të humbasin edhe kreun e tabelës në kampionatin gjerman.
Kampioni në fuqi ishte në epërsi në pjesën e parë, pasi Sadio Mane shënoi për 1:0 në minutën e 30-të, në ndeshjen që ai u rikthye në fushë, pas skandalit që ishte përfshirë me Leroy Sanen.
Vendasit morën ndeshjen nën kontroll në pjesën e dytë dhe arritën të shënonin tre gola për ta përmbysur rezultatin.
Fillimisht ishte Ludovic Ajorque që shënoi për të barazuar në 1:1 në minutën e 65-të, ku shfrytëzoi një gabim të portierit Yann Sommer.
Tetë minuta më pas, saktësisht në minutën e 73-të ishte Leandro Martins që solli epërsinë e parë në këtë ndeshje për Mainz 05, duke shënuar për 2:1.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar 3:1, shënoi Aaron Martin në minutën e 79-të.
Bayern Munich ishte e pafuqishme të bënte diçka më tutje. Vlen të cekët se bavarezët regjistruan vetëm një goditje në drejtim të portës në pjesën e dytë që ishte e lehtë për portierin, ndërsa goli i Manes ishte goditja e tjetër e vetme gjatë pjesës së parë.
Borussia Dortmund do të përballet sot me Eintracht Frankfurt, aty ku mund ta rrëmbejë kreun e tabelës në Bundesliga.