S’ka njeri më të shurdhër se sa ai që s’do të dëgjojë. Dhe ky sindrom është brenda figurës së Abin Kurtit. Qëllimi i tij është pushteti. Brenda këtij qëllimi, ai nuk e ka pasurimin e tij personal dhe as nuk projekton diçka tjetër. Dhe, qëllimin e ekzistencën e tij i projekton në pushtet.
Hashim Thaçi, në sytë e tij, është njeriu i vetëm që ia rrezikon qëllimin. Prandaj, s’është e nevojshme të habiteni kur lexoni deklaratën e Vetëvendosjes të ditës së djeshme.
Kjo mënyrë e komunikimit i ngjan me thënien e famshme për ata që kanë duart me gjak, e cila thotë se “Për vite e ke erën e gjakut në duar dhe sado që i pastron, ajo nuk të hiqet. Vazhdon të mbetet. Dhe, kur s’ke si pastrohesh nga ajo, vazhdon ta bësh të njëjtën gjë.”
Hashim Thaçi na doli personazh i Vetëvendosjes në deklaratën e tyre, duke qenë ai i burgosur dhe duke qenë i pafuqishëm në politikë.
Albin Kurti dhe Vetëvendosja nuk patën asnjë fjali për Dick Marty-n, edhe pse të bindur se, po të bënin fushatë për atë që i kishte ndodhur gjatë këtyre ditëve, çdo deklarim i kryeministrit do të ishte fushatë e mirë për Kosovën dhe Hashim Thaçin.
Por, vetëm fakti se duhet të shfajësohet Thaçi, Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin e pengon çdo fjali që e çon në përmendjen e emrit të tij.
Por, ideja se potencialisht një deklaratë e tij ia lehtëson zotit Thaçi procesin gjyqësor, e bën atë që t’i kthehet ajo era e gjakut ndër duar, sepse kur e bën një herë s’ke si pastrohesh më!
Ai e humbi rastin që, përmes kësaj ngjarjeje, të tregojë politikisht sesi funksionon shteti serb.
Duhet të shuhet Thaçi që të këtë rrëfim për Thaçin. Duke qenë në burg Thaçi, Vetëvendosja frikohet se zënia në gojë e emrit të tij, është rikthim i tij në politikë. Thaçin nuk e duan si viktimë. Nuk e duan fare si pjesë të një historie politike.
Mirëpo pyetja është: Pse, në këtë moment, një deklaratë e tillë? Një sqarim me pak fjalë do ta bënte të bindshme arsyen e kësaj deklarate.
Arsyeja e parë është se s’ka asnjë plan për Veriun dhe ka ardhur momenti të vendoset e ardhmja. Arsyeja e dytë është se plani i nënshkrimit ekziston, por faji dhe fajësimi janë projektuar te Hashim Thaçi në burgun e Hagës.
Çështja e Veriut të Kosovës, përkatësisht çështja që mban peng zhvillimin e Kosovës, integrimin e shoqërisë kosovare, shtrirjen e plotë të sovranitetit të Kosovës, dhe që nuk është zgjidhur që 20 vjet, përkundër diskutimeve të panumërta të qeverive të Kosovës, angazhimit të shumë kryetarëve të Komunës së Mitrovicës dhe, për më tepër, angazhimit ndërkombëtar për të gjetur një zgjedhje të qëndrueshme dhe e cila do të integronte veriun e Kosovës.
Janë investuar me miliona euro nga agjencitë e huaja zhvillimore për të gjetur një zgjidhje. Ajo që është bërë e qartë tashmë, është se zgjidhja e çështjes së Veriut nuk është as ekonomike, as sociale, por politike dhe etnike.
Të gjithë ata që kanë guxuar të propozojnë një zgjidhje për veriun e Kosovës, janë linçuar si tradhtarë të kombit nga VV.
Tash “erdhi dita”!
Erdhi dita që Vetëvendosje, me kryeministër Albin Kurtin, të gjejë një zgjidhje për Veriun.
Deklarata e Vetëvendosjes nxori në pah se nuk ka një zgjidhje të tillë.
Zgjidhjen për Veriun e Kosovës, Albin Kurti e reduktoi në:
- a) dialog nga poshtë-lart; b) në takime të bujqve shqiptarë e serbë për të diskutuar për problemet që kanë të bëjnë me bujqësinë; c) në ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër; dhe d) kthim të serbëve që jetojnë në Veri, por që janë nga pjesë të tjera të Kosovës, në pronat e tyre.
Lehtësia, përmes së cilës Kurti kishte dhënë këto propozime naive karshi një konflikti të ngrirë për gati 20 vite, nënkupton ose mosnjohje të kompleksitetit të situatës ose, për më keq, që e ka ndër mend të mbajë status quo në Veri dhe Kosovë dhe të mos bëjë asgjë.
Konfliktet me bazë etnike kanë aq shumë fuqi simbolike që, pothuajse në asnjë rrethanë, nuk mund të reduktohen në probleme teknike.
Zgjidhja e kontesteve politike është kushti themelor për paqe, bashkëjetesë dhe integrim, ndërsa përmirësimi i situatës ekonomike është ndihmesë, por assesi nuk është zëvendësim për të parën.
Në fakt, kjo qasje infantile politike e fajësimit të Hashim Thaçit karshi një problemi shumë kompleks, që po zgjat për më shumë se dy dekada, më kujton “zgjidhjen e artë” që kishte propozuar në vitin 2007, në kohën e negociatave për statusin e Kosovës.
Në atë kohë, Albin Kurti ishte aq i bindur se procesi, që udhëhiqej nga Marti Ahtisari ishte dizajnuar në mënyrën e tillë sa do ta linte Kosovën nën sovranitetin e Serbisë dhe përjetësisht nën tutelën ndërkombëtare.
Ai u angazhua maksimalisht, bashkë me Vetëvendosjen, për sabotim të procesit, qoftë edhe me çmimin e trazirave politike.
I gjendur përballë një pyetjeje fare bazike të një kolegu gazetar për alternativën që propozonte, Kurti kish deklaruar se ai do të organizonte protesta masive në rrugë dhe armiqtë e pavarësisë së Kosovës, si Rusia, do të zmbrapseshin para vendosmërisë së 200 mijë protestuesve shqiptarë në rrugët e Kosovës!
Nga ajo kohë, të gjitha opsionet, duke përfshirë asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të vendit, qoftë si një lloj NGO, sipas marrëveshjes së Brukselit 2013 dhe parimeve 2015, apo opsioni i asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, ashtu siç pretendon Serbia, apo një autonomie të zgjeruar për veriun dhe kishat ortodokse serbe nën një sovranitet të veçantë, nuk i sigurojnë Kosovës njohjen nga Serbia dhe, rrjedhimisht, as anëtarësimin në OKB.
Edhe sot, pas një viti e gjysmë pushteti të Kurtit, serbët e veriut të Kosovës jetojnë në territor kompakt gjeografik e etnik dhe vazhdojnë të mbesin luajalë vetëm ndaj shtetit të Serbisë.
Përkundër zhbërjes së strukturave paralele, ndikimi i Serbisë atje mbetet thelbësor, ndërsa autoriteti i institucioneve të Kosovës respektohet vetëm në aspektin e marrjes së pagave dhe investimeve.
Në anën tjetër, shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës vazhdojnë të diskriminohen dhe numri i popullsisë që jeton atje, vazhdon të zvogëlohet.
Fatkeqësisht, të gjitha opsionet e tjera që diskutohen tani, janë shumë më të këqija dhe të rrezikshme për Kosovën. Prandaj, gjatë kësaj periudhe, askush nuk pret që të ketë zhvillime të reja në kuadër të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
Si përfundim, letra e Kurtit fajëson Hashim Thaçin për fillimin e dialogut më 2013-ën.
E vërteta është se dialogu nuk kishte opsion tjetër, ishte dhe mbetet obligim ndërkombëtar i imponuar nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së, e cila obligon palët që të fillojnë procesin e normalizimit dhe përcakton qartë rolin e BE-së si ndërmjetësues zyrtar i këtij procesi.
Rezoluta e OKB-së reflekton vendimin e GJND-së dhe realitetet e hidhura ndërmjet dy shteteve;
Problemi kryesor i këtij dialogu ishte Asociacioni.
Asociacioni ka rënë si opsion për dy arsye:
Së pari, vetë Serbia nuk kishte asnjë interes që të themelojë një asociacion, i cili, sipas marrëveshjes 2013 dhe parimeve 2015, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kosova mori vendim që nuk mund ta themelojë njëanshëm asociacionin, sepse vetëm ekipi menaxhues (i përbërë nga përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe në veri të vendit) kishte të drejtë të hartonte draft-statutin e asociacionit.
Për faktin se ata janë luajalë vetëm ndaj Serbisë dhe nuk hartojnë një statut, i cili nuk parasheh kompetenca ekzekutive për serbët në veri.
Prandaj, kjo është arsyeja pse nuk është zbatuar kjo marrëveshje. Serbia e konsideron asociacionin si kartën më të fortë që ka në dorë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Së dyti, themelimi i asociacionit nuk imponon as njohje de facto dhe as de jure nga Serbia. Për Kosovën, themelimi i tij nuk sjell asnjë dobi;
Dhe, atëherë, doli në sipërfaqe Rusia.
Rusia u pajtua për dy arsye: së pari, sepse Serbia ia kërkoi një gjë të tillë, dhe së dyti, Rusia në parim mbështeste një marrëveshje për të cilën pajtohej edhe Serbia. Këto janë arsyet e vërteta.
Radha është të kryeni punë dhe jo ta bartni fajësinë te njeriu që nuk është në gjendje që t’u kthejë përgjigje.
Fajësimi është si ai rrëfimi për gjakun, që e përmenda në krye të tekstit. /Albanianpost.com