Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka thumbuar trajnerin e Malishevës, Bylbyl Sokolin, pas fitores dramatike të skuadrës së tij në çerekfinale të Kupës së Kosovës të mërkurën.
Llapi i ka mbajtur gjallë shpresat për ta fituar Kupën e Kosovës për herë të tretë radhazi, duke kaluar në mesin e katër ekipeve më të mira falë një fitoreje dramatike 6:5 me penallti ndaj Malishevës në Podujevë.
Duke folur pas ndeshjes, Batatina nuk u përmbajt pa e tallur dikur trajnerin e klubit të vet, Sokolin.
“Dramatike penalltitë, dy trofetë e kaluar i fituam pas penalltive në gjysmëfinale, nëse e humbja ndeshjen nuk isha mërzitë, por isha mërzitë nëse humbi ndaj Bylbyl Sokolit. Kam 10 vite që nuk jam mposhtur nga Bylbyli, një trajner që mendon se është trajner i mirë”, tha Batatina.
Sokoli nuk ka gjetur rehati si trajner në klubet e Superligës dhe Llapin e kishte udhëhequr në shumë pak ndeshje në vitin 2018.
Klubi nga Podujeva i bashkohet Prishtinës, Vushtrrisë dhe Gjilanit në gjysmëfinale.
Ai shtoi :“E kam thënë edhe më herët që synimi i Llapit është Kupa e Kosovës dhe do të tentojmë ta fitojmë për herë të tretë radhazi”.
Llapi e gjeti veten në disavantazh në përfundim të pjesës së parë, pavarësisht se kishte kaluar në epërsi herët kur Trimror Selimi kishte shënuar në minutën e 11-të.
Por dy gola nga Ilir Mustafa dhe Ronald Sobowale në minutat 25 dhe 43 i dhanë shpresë Malishevës për një gjysmëfinale të ëndërruar.
Kushtrim Shabani e mbajti kampionin në fuqi në lojë kur shënoi për ta barazuar në 2:2 rezultatin në minutën e 68-të.
Ky rezultat bëri që loja të shkonte në vazhdime dy herë nga 15 minuta, ku nuk pati gola dhe fituesi duhej të përcaktohej nga gjuajta e penalltive.
Të gjithë pesë futbollistët nga të dy anët i shënuan penalltitë e tyre të para, duke bërë që gjuajtja e nga një penalltie në vazhdim të ishte vendimtare.
Derisa Andri Stafa e shënoi penalltinë e gjashtë për vendasit, Ronald Sobowale e humbi gjuajtjen e gjashtë të vizitorëve dhe Llapi kaloi në gjysmëfinale me rezultat 6:5.