Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka njoftuar se nesër do të protestojnë kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe EULEX-it.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Klinaku ka thënë se ZPS-ja dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së me bastisje.
Ai ka kritikuar institucionet shtetërore se po heshtin.
“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë, duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin”, tha Klinaku.
U.D. i kryetari të OVL-UÇK-së ka bërë me dije se protesta do të mbahet nesër [15 shtator] në orën 12:00 te selia e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Ndryshe, tash e disa ditë kanë vijuar bastisjet e EULEX-it në shtëpitë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Pak net më parë u shoqërua edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, të cilit i është sekuestruar telefoni personal.
Po ashtu, njëjtë ka ndodhur edhe me Nait Hasanin.