Bastisja e disave zyrave të Ministrisë së Bujqësisë nga hetuesit policorë, duket se e ka nervozuar shumë pushtetin. Kjo bastisje ka bërë që disa ministria ta shfrytëzojnë si pretekst për të sulmuar Prokurorinë e Shtetit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Bujqësisë, Faton Pecili, e kanë kritikuar prokurorinë e shtetit se po merret me atë çka raportojnë media dhe jo me dosjet për korrupsion që i kanë dërguar në prokurori.
E para ka qenë më e ashpër me organet e rendit dhe të drejtësisë.
Një ditë pas bastisjes, në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se prokuroria po bën drejtësi selektive.
“Qindra dosje me dyshime për korrupsion e keqpërdorime të detyrës zyrtare janë dërguar në prokurori nga Qeveria jonë. Prokuroria asnjë veprim. Asnjë bastisje nëpër institucione pas atyre denoncimeve që i kemi bërë. Heshtje totale. Por mjafton një lajm diku në portale, e menjëherë vrapohet me bastisje në Ministri. Portale e gazeta ka pasur tash e sa kohë, por çështja është a kishte ato kohë Prokurori?!. Përgjigjen e dimë të gjithë’, ka shkruar ajo, duke shtuar se prokuroria po shumë gjera po hesht.
“Keqpërdorimet, abuzimet, e shkatërrimet e ndërmarrjeve publike sikurse edhe pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve të lartë ka ndodhur para syve të Prokurorisë. Drejtësia s’duhet të jetë selektive. Aq më pak spektakël”, ka shkruar Haxhiu.
Pak më i but ka qenë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Fillimisht, ai ka dalë me një video në profilin e tij në “Facebook”, ku ka ironizuar
“Dua të falënderoj organet e rendit dhe të drejtësisë për efikasitetin e treguar mëngjesin e djeshëm. Një raportim spekulativ i mbrëmjes paraprake mjaftoj për t`i aktivizuar ata qysh në orën 8 të mëngjesit, ndërkohë për katër vite me radhë kemi dërguar qindra lëndë që deshmojnë korrupsion dhe dëme financiare që i është shkaktuar Republikës se Kosovës deri në 500 milionë ero, por nuk kemi par asnjë lëvizje nga ta. Me gjasë na e ka lënë ‘seen’.”, ka thënë ai.
Kurse, më pas ai ka folur edhe para gazetarëve për këtë çështje.
Ai ka sqaruar se nuk ka ekzistuar asnjë pozicion në dokumente, ku thuhet se është bërë bartje e mobilieve dhe se raportimi medial për këtë çështje është i pabazuar.
“Ne e përgëzojmë, e falënderojmë çdo aktivitet të mekanizmave të drejtësisë që vihet në funksion të zbardhjes të së vërtetës. Unë nuk merrem me specifika teknike. Ju e keni A deri në ZH shpjegimin se si ka shkuar e gjithë procedura, edhe mes tjerash, mua më kanë njoftuar pas raportimit medial që ka qenë, që krejt çka është raportuar në media ka qenë e pavërtetë, ka qenë shpifje, edhe është tendencë”, ka thënë ai.
“Të vërtetën ta thonë institucionet e drejtësisë, edhe akterët, të cilët janë intervistuar edhe që kanë përgjegjësinë ligjore dhe institucionale të merren me procedurën. Mua më kanë thënë që nuk ekziston pozicion, ku thuhet që është bartje e mobilieve, aq më tepër që në këtë raportim medial ekziston një video që është bërë te kati i objektit të Ministrisë së Bujqësisë që nuk ka qenë hiç pjesë e kontratës për të bërë renovimin në atë objekt. Është bërë video, është bërë shpifja se në katin, ku nuk është hiç pjesë e kontratës për çka pretendohet se ka mundur të ketë abuzim financiar”, ka thënë ministri Peci.