Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se është një bandë e korruptuar që sundon vendin, duke e quajtur një sundim të paligjshëm të kryeministrit Edi Rama.
“Kudo anembanë Shqipërisë e në veçanti në treva të varfëruara me qëllim nga ky regjim, siç është Dibra, siç është Bulqiza, siç është Mati, siç është Verilindja dhe Veriu në tërësi, por anembanë Shqipërisë edhe në Tiranë, 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre. Ndërkohë, dimri jo vetëm ka trokitur, por po fillon me temperaturat nën 0”.
“50% e familjeve shqiptare, 1 në 2 familje shqiptare, nuk arrijnë të paguajnë dot më shumë se një vakt të plotë për familjet dhe fëmijët e tyre. 90% e familjeve shqiptare e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre, pavarësisht se nga vjen, të ardhura për ata pak njerëz që janë në punë, apo fermerë, pensionistë plus ndihmën që mund të marrin nga fëmijët në emigracion, punonjës të administratës apo të sektorit privat, s’ka rëndësi se nga i vijnë të ardhurat, 90% e të ardhurave shkojnë për nevojat bazë. Jo sikur të ishim në zemër të Evropës, po sikur të ishim në një cep të harruar të Afrikës”, tha Basha gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Dibër.
Basha tha se me konsumin që bie ditë për ditë mbyllen bizneset, shkatërrohet tregu i punës, shtohet numri i të papunëve dhe rritet numri i atyre që duan të largohen dhe që largohen nga vendi.
“Ky vend nuk ka qeveri, sepse në krye ka një bandë, e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit, që nuk ka hallin e njerëzve. Nuk qeveriset sepse anembanë vendit nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që, siç e pamë javët e fundit, është rrënuar deri në tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh, oligarkësh e kriminelësh, me të cilët mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve”.
“Teksa po vija këtu, një e dhënë tjetër dramatike është shpalosur në media. 300 mijë euro për 25 këshilltarë paguan Edi Rama nga taksat që ua merr shqiptarëve. Para të mjaftueshme për të futur në skemën e ndihmës ekonomike 500 familje. Në vend të 500 familjeve në ndihmë ekonomike, kemi 25 këshilltarë dhe e kuptoni vetë se çfarë këshillash i japin Edi Ramës, sepse e shikojmë se si është Dibra, e shikojmë se si është Shqipëria në ditën e saj më të zezë. Të gjithë këta njerëz paguhen me paratë, të cilat merren nga xhepat tuaj”./ A2 CNN