Çështja e bartjes së shamisë në shkolla që ndryshe njihet edhe si hixhab, vazhdon të mbetet ende sfiduese për shumë institucione arsimore në vend.
Gjatë këtij viti që lëmë pas, vështirësi në këtë drejtim ka hasur edhe nxënësja A.D e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, ku ishte pezulluar nga vijimi i mësimit për shkak se njëjta ka vendosur që të bartë shaminë.
Në një interviste për Indeksonline, avokati i popullit, Naim Qelaj, është shprehur se momentalisht nuk ekzistojnë rrethana kur merren masa për kufizimin e të drejtës së vijimit të mësimit dhe të vajzave që bartin shamitë.
“Momentalisht këto nuk ekzistojnë në çfarë do rrethane kur merren masat për kufizimin e të drejtës së vijimit të mësimit edhe të vajzave që bartin shamitë. Natyrshëm unë e konsiderojë si një problematik që duhet me e pas një debat të shëndoshë shoqërorë dhe asnjëherë shkollës nuk duhet ti dhënë karakter religjioz sepse duhet me e ruajt atë intensitetin e vetë, të shkollave dhe të sistemit tonë arsimor. Por gjithmonë duhet me qenë të kujdesshëm edhe me e pas parasysh që balanci në mes interesit më të mirë për fëmijën dhe drejtës për arsim është më i fuqishëm se sa çdo arsye apo justifikim tjetër me të cilën një autoritet merë vendim për me ja ndalu të drejtën për shkollim”, ka thënë Qelaj.
Në lidhje me këtë shqetësim, Qelaj ka ndarë informacione rreth punës së këtij institucioni sa i përket bartjes së shamisë në shkolla. Ai ka bërë të ditur se qysh tash e dy vite është duke u monitoruar kjo situatë për të gjetur një zgjidhje.