100.1 milionë euro është fitimi i pastër i gjithsej njëmbëdhjetë bankave komerciale që operojnë në vend vetëm deri në fund të muajit tetor të këtij viti.
Bankat në Kosovë për çdo muaj po arrijnë t’i rrisin fitimet neto nga 10 deri në 15 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik. Kështu, vetëm në muajin tetor, këto banka realizuan profit neto prej 10 milionë eurove më shumë sesa një muaj më herët, pasi në fund të muajit shtator fitimet e tyre neto ishin në vlerën e 90.1 milionë eurove. Njësoj kishte ndodhur edhe me fitimet e muajit gusht kur ato kishin qenë në shifrën e 80.4 milionë eurove.
Bazuar në raportet mujore të sistemit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në muajin tetor 2021, sektori bankar në vend ka shënuar të hyra në vlerë të gjithsej 265.1 milionë eurove, nga të cilat 185.9 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Krahas të hyrave, shpenzimet operative të bankave në tetor ishin në vlerën e 165 milionë eurove.
Depozitat e qytetarëve arritën në 4,630.2 miliardë euro, prej të cilave 3,208.5 ishin depozita të ekonomive familjare, 872.7 milionë euro ishin depozita të korporatave jo financiare dhe 201.7 milionë të korporatave tjera financiare.
Krahas depozitave, kreditë në sektorin bankar arritën në 3,621.6 miliardë euro, ku për ekonomitë familjare janë lëshuar kredi në vlerë të 1,360.3 miliardë eurove, kurse për korporatat jo financiare u lëshuan kredi në vlerë të gjithsej 2,250.5 miliardë eurove.
Ndërkohë, normat efektive të interesit në kredi vazhduan të kenë luhatje të lehta muaj pas muaji. Në tetor të 2021-s, norma efektive e interesit në kredi ishte 6.0%, derisa në muajin shtator ajo ishte e pasqyruar me 5.9%, kurse në gusht e njëjta ishte 5.7%.
Norma efektive e interesit në kredi, për ekonomitë familjare në tetor ishte 5.9%, për kreditë konsumuese 6.4% dhe për kreditë hipotekare 4.6%. Në këtë periudhë, vlera e gjithsej aseteve të bankave në Kosovë ishte 5 miliardë e 754 milionë euro.
Tutje, në bazë të fitimeve mujore të bankave nga fillimi i vitit, del se në muajin janar ato realizuan profit neto në vlerë të 8.5 milionë eurove, në shkurt 16.5 milionë, në mars 25.6 milionë, prill 35.0 milionë, në maj 43.9 milionë, qershor 55.8 milionë, korrik 66.3 milionë, në gusht 80.4 milionë, shtator 90.1 milionë dhe në tetor 100.1 milionë euro.
Ndryshe, numri i bankave që funksionojnë në Kosovë aktualisht është njëmbëdhjetë (11), prej të cilave nëntë banka janë me kapital të huaj dhe vetëm dy banka janë me kapital vendor. Gjithsej numri i të punësuarve në të gjitha bankat komerciale është 3 mijë e 370 punëtorë.