Ballkani do ta zhvillojë sonte ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve për edicionin 2023-24, ndaj Ludogorets.
Kampioni kosovar do të udhëtojë drejt Bullgarisë në stadiumin “Ludogorets Arena” në Razgrad, në tentim për ta bërë historinë.
“Portokallinjtë” tashmë kanë një avantazh të theksuar prej dy golave nga ndeshja e parë, ku triumfuan me rezultat të pastër 2-0 në Prishtinë, me golat e Meriton Korenicës dhe Qëndrim Zybës.
Suharekasit do të duhet ta ruajnë avantazhin e dy golave, ku edhe me një humbje prej diferencës së një goli, do t’i siguronte atyre kualifikimin për më tej.
Në rast kualifikimi tutje, Ballkani në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve do të luajë ndaj fituesit të duelit NK Olimpija Ljubljana – Valmiera FC. Kampioni slloven ka fituar duelin e parë me rezultat 2-1.
Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 20:00.