Lideri i vendit që shpesh shpreh skepticizmin për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, Emmanuel Macron, në Ditën e Unionit erdhi me një propozim të krijimit të një organizate politike alternative ku do të bënin pjesë vendet joanëtare, por që bartin dhe synojnë vlerat europiane. Macron e propozoi krijimin e Komunitetit Politik Europian në vend të përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin e shteteve të reja në BE, si përgjigje ndaj një kërkese që u vu në pah nga vendet joanëtare pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ndonëse nuk e duartroket plotësisht idenë e Macronit, i gëzohet faktit se presidenti francez më në fund ka ardhur me një ide për Ballkanin Perëndimor dhe shtetet tjera joanëtare.
“Në përgjithësi është për t’u vlerësuar që Macroni po vendos diçka në tryezë. Kjo është një pikënisje”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Mandl thotë se në planin afatgjatë duhet të shmanget një Bashkim Europian që çon në dy shpejtësi nëse vërtet synohet të bëhet një kontinent vërtet i bashkuar dhe pa i lënë hapësirë Kremlinit që të shtrijë ndikimin e tij.
“Ndër mësimet e nxjerra nga lufta e fundit është domosdoshmëria e integrimit në BE e Ballkanit Perëndimor. BE ka humbur shumë këtu në shekujt e fundit. Këto gjashtë shtete, popullsia e të cilave është në një masë të madhe pro-europiane, duhet të integrohen përfundimisht në Bashkimin Europian. Ne nuk mund të lejojmë që fuqitë nga pjesët e tjera të botës që nuk ndajnë vlerat e përfaqësuara nga BE – si Kremlini – të lejojnë të përhapin ndikimin e tyre përmes Ballkanit Perëndimor”.
Derisa deputeti boshnjak i Bundestagut, Adis Ahmetovic, i cili ka edhe funksionin e raportuesit për Ballkanin Perëndimor, tha për Gazetën Express se propozimin e Macronit e sheh si alternativë të mirë që mund të aplikohet për kohën sa shtetet, që synojnë integrimin në BE, t’i plotësojnë kushtet për t’u bashkuar.
“Në përgjithësi, propozimi i Macronit për të krijuar partneritete të reja në nivel ndërkombëtar dhe për të ofruar bashkëpunim për vendet që kanë aspirata të ngjashme me BE-në për liri e demokraci dhe që duan të jenë të lidhur ngushtë me BE-në, është një shtysë e rëndësishme për të menduar për alternativa ndaj integrimit të plotë në BE, i cili nuk është opsion për disa vende në të ardhmen e parashikueshme. Kjo do të thotë se duhen shumë vite, nëse jo dekada, për t’u bërë pjesë e BE-së dhe gjatë kësaj kohe mund të jetë më e dobishme që të mendohet se si këto vende mund të lidhen më ngushtë me BE-në”.
Ahmetovic potencoi se kjo gjithashtu nënkupton se bashkëpunimet ekzistuese mund të intensifikohen. Derisa në pyetjen se a duhet Gjermania të përkrahë propozimin që erdhi nga Franca, deputeti gjerman thotë se nuk duhet të ketë ndarje midis vendeve perëndimore dhe lindore në Europë dhe modeleve alternative për anëtarësimin në BE.
“Prandaj edhe kancelari Olaf Scholz me të drejtë e ka bërë të qartë se angazhimet e anëtarësimit në BE ndaj Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës duhet të respektohen dhe se ato i përkasin BE-së. Vendet duhet të pranohen në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Detyra jonë është të ofrojmë mbështetje më të madhe për përpjekjet reformuese të vendeve që duan të anëtarësohen në BE”.
Ahmtovic tha se duke pasë parasysh perspektivën e Kosovës në BE, ai mbështet liberalizimin e vizave për të, derisa njoftoi se për anëtarësimin e mundshëm në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, së shpejti do të ketë edhe një takim për promovimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ndërkaq, Mandl thotë se shtetet e tjera të BE-së do ta marrin në konsideratë dhe do ta shikojnë më tej propozimin e Macronit, por shton se pyetja s’duhet të jetë bardhë e zi dhe iu propozon shteteve se s’duhet ta diskutojnë vetëm këtë alternativë të propozuar nga Franca.
“Pyetja është se cili do të ishte vizioni për Europën në planin afatgjatë. Natyrisht për sigurinë e brezave të ardhshëm dhe rolin që Europa do të luante gjeopolitikisht, do të na duhet një Bashkim Europian i aftë të kujdeset në një mënyrë apo tjetrën për të gjithë territorin europian. Do të ishte gabim të diskutosh vetëm idenë e fundit të Macronit. Shtetet anëtare – dhe në emër të popullit sidomos Parlamenti Europian – do të duhet të përcaktojnë vizionin afatgjatë dhe të shohin qasjen e Macronit në dritën e kësaj perspektive të ardhshme”.
Situata e re gjeopolitike që prodhoi agresioni rus në Ukrainë megjithatë nuk i krijoi nguti BE-së për t’u zgjeruar. Dhe këtu të drejtë po i jep Unionit deputeti Ahmetovic.
“Pranimi në BE është një proces i gjatë në të cilin një numër i madh kërkesash duhet të plotësohen në përputhje me kriteret e Kopenhagës. Me disa vende, BE-ja pa se çfarë ndodh kur pranimi në BE bëhet edhe pse niveli i kërkuar nuk është arritur në një pikë të caktuar apo në një tjetër”.
Megjithatë, Ahmetovic thotë se duhet mbështetur vendet që duan t’i bashkohen BE-së në proceset e nevojshme të ndryshimeve në mënyrë që të përmbushin kriteret dhe të mund të anëtarësohen më shpejt.
Por, eurodeputeti nga Austria thotë se BE-ja veçse është vonuar kur është fjala te Ballkani Perëndimor. Por, një dështim ai ia vesh edhe Serbisë, e cila paraqitet se e dëshiron bashkimin në BE, por praktikisht nuk i ndihmon këtij procesi me mosnjohjen e Kosovës si shtet dhe dëmin që e shkakton në Bosnje e Hercegovinë.
“Aderimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë i vonuar. Jo vetëm BE-ja ka humbur shumë për sa i përket prioriteteve dhe burokracisë. Gjithashtu, vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor – Serbia – s’ka arritur të krijojë një atmosferë pozitive për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Serbia do të duhet të njohë Republikën e Kosovës dhe të ndalojë ndërhyrjet e saj të dëmshme në Bosnje e Hercegovinë. Atëherë të gjashtë vendet do të jenë gati për t’u bashkuar”.
Mandl bën me dije se duhet kuptuar se nuk ka procedurë të shpejtë anëtarësimi për asnjë vend. Megjithatë, ai i shton se për shkak se mbështetja e luftës për vendet e Partneritetit Lindor është më e rëndësishme se kurrë më parë, statusi i kandidatit për Ukrainën do të ndihmojë për një proces sa më fleksibël dhe të shpejtë.
Ky propozim i Macronit nga dikush u pa me sy të mirë e nga dikush tjetër si përpjekje e tij për të ndaluar zgjerimin e BE-së, duke shkaktuar edhe kritika në drejtim të tij.
“Është obligim i yni historik që t’u përgjigjemi (sfidave të reja) dhe ta krijojmë atë që sot do të kualifikohej si komunitet politik europian. Kjo organizatë e re europiane do t’ua mundësonte shteteve europiane që i ndajnë vlerat tona që të gjejnë hapësirë të re për bashkëpunim politik, për siguri, për bashkëpunim në energji, në transport, për të investuar në infrastrukturë ku njerëzit mund të qarkullojnë, posaçërisht të rinjtë”, pati thënë Macron në Ditën e Europës, më 9 maj