Ballkani ka fituar derbin ndaj Gjilanit (2:0), Prishtina mposhti bindshëm Trepçën ’89 (4:1), derisa Llapi me mund arkëtoi pikët e plota ndaj Malishevës (1:0), në kuadër të xhiros së 27-të në Superligën e Kosovës.
“Xhebrailat” triumfuan me rezultat komod 2:0 në derbin e kësaj xhiro, në një sfidë tejet interesante nga minuta e parë.
Skuadra e Ilir Dajës e nisi shumë më mirë duke krijuar disa aksione të shpejta dhe mbajtur posedimin e topit.
Ishte Meriton Korenica që me një gol të bukur pas një aksioni të shpejtë i dha epërsinë Ballkanit, rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.
Ballkani vazhdoi të jetë më e mirë edhe gjatë pjesës së dytë me Albion Rrahmanin që dyfishoi epërsinë pas një goditje nga distanca (61’).
Gjilani kishte një rast të artë të kthehej në lojë, por Zeka dëshpëroi keq. Numri nëntë i mysafirëve kaloi edhe portierin vendas por dështoi në portën e zbrazur.
Kështu, Ballkani arriti ta ruajë rezultatin deri në fund për t’i arkëtuar pikët e plota dhe tani merr liderin me 54 pikë, derisa Gjilani renditët në pozitën e tretë me 40 sosh.
Në anën tjetër, Prishtina është kthyer me fitore në “Fadil Vokrri”, duke mposhtur Trepçën ’89 me rezultat bindës 4:1.
Mitrovicasit kaluan fillimisht në epërsi me anë të Ardian Mujës pas 30 minutave lojë.
Sidoqoftë, në pjesën e dytë ‘bardhëkaltërit’ treguan lojë tjetër. Fillimisht ishte Prapashtica që barazoi rezultatin (53’).
Vetëm katër minuta më vonë, Bujar Pllana me një gol të bukur përmbysi mitrovicasit, derisa i njëjti u përkujdes edhe për golin e tretë (66’).
Fitoren e thellë e vulosi Shefit Shefiti pas një asistimi perfekt të Endrit Krasniqit (85’).
Pas kësaj fitore, Prishtina renditët në pozitën e katërt me 38 pikë, derisa Trepça ’89 zë vendin e tetë me 29 sosh.
Kurse, Llapi ka arritur një fitore të vonshme ndaj Malishevës me rezultat minimal 1:0.
Ishte Francisco Rivera që realizoi për pikët e plota 11 minuta pa përfunduar koha e rregullt.
Ndeshja ishte tejet e baraspeshuar, me Llapin që dominonte në posedim por Malisheva rrezikonte me disa kundërzbritje të shpejta.
Me këtë fitore, Llapi zë pozitën pestë me 36 pikë derisa Malisheva renditët e shtata me 29 sosh.