Edhe pse ka kaluar disa muaj që kur iu bashkua CFR Clujit nga KF Ballkani, skuadra rumune ende nuk e ka paguar kartonin e Ermal Krasniqit, një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori sportiv Nderim Nexhipi për Gazetën Nacionale.
Ermal Krasniqi në janarin e kaluar kaloi te Cluji, ku i ka bindur të gjithë me kualitetin e lartë dhe tani është në vëmendjen e disa skuadrave të mëdha evropiane, si Lazio, Torino dhe Mallorca.
Sidoqoftë, Ballkani ende nuk e ka marrë asnjë cent nga Cluji për Krasniqin pavarësisht që iu ka kaluar edhe ultimatumi, gjë që e konfirmoi edhe vetë Nexhipi.
“Po, është e vërtetë që Cluji ende s’na ka paguar për Krasniqin. Maksimumi kanë mundur të presin deri në fundin e marsit”, tha shkurtimisht ai.
Si pasojë e kësaj, Ballkani ka bërë padi në FIFA dhe synon që t’i marrë ato para përmes gjyqit, së paku kështu raportoi “newsport.al“.
Cluj mesa duket është mësuar me mos-shlyerjen e borxheve ngase muajin e kaluar edhe u dënuan nga UEFA me mospjesëmarrje në garat evropiane për dy vite për shkak të mos pagesave të faturave të detyruara.
Ky vendim megjithatë mund të ndryshojë sapo ata t’i paguajnë tërë borxhet. Përpos kësaj edhe u gjobiten me 250 mijë euro.
Marrëveshja mes Ballkanit dhe Clujit për shërbimet e Krasniqit
Ballkani me shitjen e Krasniqit te Cluji ka fituar plot 200 mijë euro plus 15 për qind në shitjen e radhës, pa përfshirë bonuset.
Ky bonus ka vlerën e 175 mijë eurove, sidoqoftë vështirë të arrihet me gjendjen momentale pasi Cluji nuk është pranë kualifikimit për Ligën e Kampionëve.
Skuadra rumune renditet në pozitën e dytë dhe vetëm nëse siguron kualifikimin për Ligën e Kampionëve, Ballkani do të mund t’i fitonte ato para.