Hykmete Bajrami, e cila do të jetë edhe shefe e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur për media para hyrjes në seancën konstituive të Kuvendit. Ajo theksoi se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe kërkoi dorëheqje formale nga ministrat që janë zgjedhur deputetë, përpara votimit.
“S’ka asgjë të re. Ka folur edhe kryetari Abdixhiku. Jemi në qëndrime të njëjtë. Shpresojmë shumë që deputetët e Kuvendit t’i kenë përmbushur kushtet ligjore dhe kushtetuese, që të procedojmë me konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e institucioneve të Kosovës”, tha Bajrami.
Ajo mohoi akuzat për bllokim nga opozita.
“S’është opozita që po e bllokon Kuvendin. E keni pa, e keni analizu. Është diskutu edhe nëpër studio, Neni 26 të ligjit që e kanë bo vete, thotë se ministrat në detyrë duhet të japin dorëheqjen”.
Bajrami nënvizoi se dorëheqjet duhet të dorëzohen para votimit: “Kemi kërkuar që dorëheqjet të dorëzohen para votimit në Kuvend. S’mund ta ushtrosh edhe funksionin e ministrit edhe deputetit. Këta nëse i kanë numrat, mund të kthehen në zyrat e tyre. Nëse i kanë numrat, askush prej opozitës s’mund t’i bllokojë”.