Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj kritikave të Bashkimit Evropian për aksionin e Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën, duke dhënë tri sqarime kryesore.
Bajrami theksoi se këto struktura ishin ilegale dhe të drejtuara nga Serbia, se nuk ekziston asnjë marrëveshje për negociata mbi to dhe se operacioni policor nuk ka shkaktuar tensione.
“Për qartësim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione,” shkroi Bajrami në platformën sociale X.
Kritikat e BE-së u fokusuan në mbylljen e këtyre strukturave, duke argumentuar se ato “të mbështetura nga Serbia” dhe se veprime të tilla bien ndesh me obligimet e Kosovës ndaj BE-së.
Përveç BE-së, pati reagime edhe nga SHBA-ja, Britania, Gjermania e Franca.
Policia e Kosovës njoftoi se qëllimi i operacionit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha, në anën tjetër, se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.