Shefja e Grupit Parlamentar të LDK’së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur deputetes Emilia Rexhepi pasi kjo e fundit duke e keqinterpretuar letrën e Abdixhikut u ankua që komunitetet nuk janë përfshirë në propozimin për Qeveri Nacionale të Tranzicionit.
Bajrami tha se në çfarëdo qeverie që formohet pakicat do të jenë pjesë e saj, derisa shtoi se as në letrën që Kurti ia ka drejtuar LDK’së nuk përmenden komunitetet.
“Për çështjen e pakicave, në letër është e specifikuar një qeveri gjithëpërfshirëse tranzicionale ku pakicat janë kategori kushtetuese. Tani pakicat kanë probleme mes vete sic ka probleme edhe komuniteti shqiptar, ne jemi marrë me këtë çështje dhe kemi thënë sepse ata janë kategori kushtetuese dhe në çfarëdo qeverie që do të formohej zonja Emilia Rexhepi bashkë me komunitetin e saj janë pjesë e asaj qeverie sepse janë kategori kushtetuese. Në fakt ne i kemi me kushtetutë të diskriminuara pozitivisht komunitetet në Kosovë, në ndërkohë zonja Rexhepi nuk duhet t’i japë konotacion politik krejt kësaj përpjekje për të zhbllokuar situatën sepse as në letrën e Kurtit drejtuar neve nuk përmendet komunitetet, nuk është subjekt fare i letrës, ndërkohë ne kemi thënë qeveri me përfshirje të të gjitha partive shqiptare duke përfshirë normalisht edhe kategoritë kushtetuese që janë komunitetet”, tha ajo.
Abdixhiku në letër thotë se në qeveri tranzicionale duhet të jenë edhe komunitetet jo-shumicë./ GAZETA PAPIRUS/