Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se në emër të deputetëve të partisë së saj dorëzuan 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe të gjithë ish-ministrave të Qeverisë së kaluar të cilët janë zgjedhur deputetë, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
“Kemi dorëzuar 17 kallëzime penale kundër ish-kryeministrit Albin Kurti dhe ish-minitrave të kabinetit të tij, duke përfshirë këtu edhe një ish-zëvendësministre. Të gjithë këta të zgjedhur deputetë dhe të certifikuar sipas rezultatit zgjedhor nga KQZ me datën 27 mars. Ne besojmë se nga data 27 mars këta janë në kundërshtim me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë, ligj ky i hartuar dhe i miratuar nga votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në mandatin e kaluar”, tha Bajrami sot para gazetarëve pas dorëzimit të kallëzimeve penale, raporton Gazeta Express.
Ajo tha se duke qenë se prej datës së certifikimit deri më sot “vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive, duke shfrytëzuar resurset, duke marrë vendime të cilat kanë pasoja financiare dhe pasoja të tjera dhe duke shfrytëzuar resurset e institucioneve të Kosovës, këta deputetë kanë konsumuar vepër penale”.
“Grupi i juristëve të LDK-së ka kërkuar qasje në dokumente prej disa ministrave kemi marrë, dis të tjerë nuk na kanë dhënë qasje, por prej atyre informatave që kemi pasë i jemi drejtuar Prokurorisë Speciale, tani është në dorën e saj që të kërkojë qasje në vendime të tjera”.
Bajrami tha se Kurti e ish-ministrat “kanë thënë se kanë dhënë dorëheqje dhe vazhdojnë të qëndrojnë në zyre”.
LDK më pas në një komunikatë për media tha se deputetët e saj “kërkojnë nga Prokuroria që të nisë hetime penale ndaj të gjithë të dyshuarëve, të shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria pas datës së certifikimit si dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar përgjegjësi penale dhe politike”./ GAZETA PAPIRUS/