Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës në sektorin e energjisë në vend, duke e cilësuar atë si pasojë të menaxhimit të dobët dhe të qëllimshëm nga Qeveria Kurti.
Ajo thotë se gjatë mandatit aktual është rritur ndjeshëm varësia nga importi i energjisë, duke përmendur se disa kompani që merren me tregti të energjisë janë futur në listën e 10 kompanive me qarkullimin më të lartë pas vetëm tri vitesh operimi.
Bajrami kritikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, që sipas saj ka arritur 128% për ata që shpenzojnë mbi 800 kWh. Ajo paralajmëron edhe pasoja për sektorin privat, pasi rreth 1300 ndërmarrje vendore, që punësojnë gjysmën e punëtorëve të këtij sektori, rrezikojnë të përballen me trefishim të faturave të energjisë nga 1 qershori.
Duke përmendur rrezikun e një vale të re të inflacionit, Bajrami thekson se kjo situatë do të godasë çdo familje në vend, ndërsa faji bie mbi Qeverinë për, siç thotë ajo, “lidhjet me Martinin dhe të tjerët, tenderët e ndarë në WhatsApp, si dhe dështimin e Ministrisë së Ekonomisë për të mbikëqyrur KEK-un.”
“Qytetarët dhe bizneset paguajnë faturën, ndërsa përfituesit janë ata që sot me të drejtë quhen ‘mafia energjetike’”, shkruan Bajrami, duke shtuar se Kosova ndodhet në një krizë institucionale dhe jo vetëm. Ajo bën thirrje për formimin e një Qeverie kalimtare që do të fokusohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe të bizneseve.
“Zullumi këputet prej së trashi”, përmbyll reagimin e saj Bajrami.