Bajram Zylfiu është njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël, në të cilën forcat serbe kishin vrarë mbi 100 qytetarë në marsin e vitit 1999 në këtë fshat.
Zylfiu në “Kallxo Përnime” ka rrëfyer se si kishte arritur t’i shpëtojë kësaj masakre.
Forcat serbe natën e 25 marsit 1999 kishin grumbulluar banorët e fshatit më pas duke i ndarë burrat dhe gratë.
113 burra ishin dërguar me duar mbrapa kokës në një shtëpi në Krushë të Vogël. Aty të mbështetur për mur, siç rrëfen Bajram Zylfiu, një pjesëtar i forcave serbe ka gjuajtur në drejtim të tyre me mitraloz fillimisht e pastaj me automatik.
Zylfiu tregon se kur kanë filluar gjuajtjet mbi të është rrëzuar njëri banor i vrarë dhe nuk ishte vënë re se kishte mbetur gjallë.
Pas kësaj, Zylfiu kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi për t’u fshehur në male për disa ditë me radhë, pa bukë dhe pa ujë.