Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se nuk u beson fare evropianëve sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe thotë se këtë mosbesim e ka të ndërtuar nga përvoja.
“Bashkësisë ndërkombëtare nuk u besoj, sidomos evropianëve nuk u besoj fare. I kam provu me çështjen e urës, ajo ka pas me u hapë dhe kur është ardhë çështja e hapjes, kanë dështuar dhe e kanë lënë të mbyllur. Sot aty nuk ecin veturat. E dimë se urat janë për t’i lidhur qytetet dhe qytetarët”, ka thënë Bahtiri në DPT te Fidani.
Bahtiri ka thënë se është kundër Asociacionit dhe do të luftoj kundër këtij mekanizmi.
“Unë jam kundër dhe do të luftoj deri në fund për kundër. Çdo bashkim i një institucioni të komunave është pjesë përbërëse e një republike, sic është Republika në Bosnje.”, ka deklaruar Bahtiri.
Ai ka kritikuar edhe SHBA-të për ndërrim qëndrimit, siç ka thënë ai, duke hequr dorë nga kërkesa për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kur u ardhë së pari Escobari, ka thënë se njohja do të jetë në qendër. Pas shkuarjes në Beograd, e ka pa që nuk mund ta bindë Serbinë dhe ka lëvizë prej asaj pjese. Shiko tash se çfarë thonë. I kthehen Kosovës pa të drejtë, me gjërat më të ulëta që mund të jetë një shtet sovran”, ka thënë ai.