“Një vrasës shqiptar po transmeton video live nga qelia e tij e burgut në Mbretërinë e Bashkuar në TikTok, në të cilat ai flirton me gra dhe luan lojëra online me kriminelët në burgje të tjera.”
Kështu nis artikulli i medies britanike, Daily Mail, e cila i ka kushtuar një shkrim shqiptarit Eugert Merizaj.
Eugert Merizaj, është dënuar me 32 vite burg për rolin e tij në vrasjen brutale me armë gjahu të një rivali të drogës.
Ai merr “dhurata” virtuale të dhuruara nëpërmjet TikTok nga admiruesit, të cilat ai mund t’i këmbejë me para, shkruan albeu.com.
Pavarësisht ndalimit të celularëve në burg, Merizaj, 32 vjeç, ka transmetuar vazhdimisht biseda pesëminutëshe drejtpërdrejt çdo ditë gjatë javëve të fundit.
Në një shkelje befasuese të sigurisë, ai u mburr se telefoni i tij ishte hedhur në burgun e tij në Mançester me dron dhe se ai e fsheh atë brenda një tualeti.
Merizaj, u mburr të hënën e kaluar se nëse telefoni i tij zbulohej nga oficerët e burgut, ai thjesht do të “blinte një tjetër”.
Ai pretendoi se është telefoni i tretë që përdor në burg, dhe secili i kushton atij 2,000 £.
Fituesi i një ndeshjeje është ai që merr më shumë “dhurata” nga ndjekësit, në formën e afisheve virtuale shumëngjyrëshe.
Dhuratat konvertohen në pikë, të cilat në fund mund të këmbehen me para.
Disa dhurata mund të blihen lirë, por yjet kushtojnë më shumë se 400 £.
Të mërkurën mbrëma, Merizaj mori pjesë në një ndeshje TikTok Live me tre femra, përfshirë një shqiptare në Spanjë, duke grumbulluar 2600 pikë, ekuivalente me 12.60 paund, sipas një kalkulatori online.
Ai fitoi një tjetër lojë TikTok Live më 16 gusht me 3,319 pikë, ekuivalente me rreth 16 £. Tre orë më parë ai luajti një tjetër lojë, duke fituar pikë ekuivalente me 8 £.
Merizaj, i cili përdor TikTok pa u zbuluar nga qelia për rreth një muaj, ka luajtur edhe ndeshje kundër një llogarie TikTok, e cila sipas burimeve është përdorur nga një tjetër vrasës shqiptar që vuan dënimin e përjetshëm në Greqi.
Merizaj ishte pjesë e një bande që joshi tregtarin e kanabisit Hemawand Ali Hussein në një shtëpi në Hartlepool në vitin 2019 përpara se ta vriste me një armë gjahu.
Merizaj u kap në Belgjikë pas vrasjes dhe u ekstradua në Britaninë e Madhe. Tre anëtarë të tjerë të bandës shqiptare u burgosën për vrasje me paramendim dhe tre të dyshuar janë në arrati, shkruan albeu.com.
Prokurori Justice Lavender pranoi se Merizaj nuk e tërhoqi këmbëzën dhe nuk ishte në shtëpi kur ndodhi vrasja, por tha se ai kishte qenë shumë i përfshirë në planifikimin e saj dhe kishte blerë armë, duke përfshirë një sëpatë.
Në një bisedë në TikTok, Merizaj beson se do të transferohet në një burg shqiptar muajin e ardhshëm.
TikTok tha se kishte ndërmarrë veprime kundër llogarisë dhe se mbështetet te stafi i burgut dhe policia për të identifikuar dhe njoftuar për llogaritë që përdoren në burg.
Shërbimi i Burgjeve tha: “Telefonat nuk tolerohen në burgje dhe ata që thyejnë rregullat përballen me dënime të ashpra duke përfshirë kohën shtesë pas hekurave.”
“Ne po punojmë me TikTok për të hequr këto video dhe investimi ynë prej 100 milionë paund në sigurinë e burgjeve ka ndihmuar në ndalimin e mbi 28,000 përpjekjeve për të kontrabanduar drogë, telefona dhe armë në burgje që nga tetori i kaluar.”