Një ngjarje tragjike ka tronditur Prizrenin mëngjesin e sotëm, ku një shtetas turk ka sulmuar me thikë dy vajzat dhe bashkëshorten e tij, për pasojë njëra vajza 15 vjeçare e autorit, ka humbur jetën.
Autori, 43-vjeçari Mehmet Gorenc është arrestuar.
Për të folur më tepër rreth kësaj ngjarje ishte në një lidhje direkte për “People” në Euronews Albania, gazetari Nuhi Salihu.
Ai tha se ngjarjen e rëndë e ka lajmëruar fqinji i familjes, i cili rreth orës 5:30 minuta të mëngjesit, kishte dëgjuar zhumra dhe kishte thirrur shërbimin e urgjencës.
“Sapo ka arritur ekipi në banesën e kësaj familje, ata kanë parë një pamje të keqe të bashkëshortes së autorit të dyshuar, ndërsa autori mbante në dorë një mjet prerës. Të frikësuar ata kanë njoftuar menjëherë policinë. Më pas janë dërguar në spital, autori i dyshuar i krimit, bashkëshortja e tij, vajza 10-vjeçare e cila kishte dëmtime në qafë, ndërsa vajza 15 vjeçare kishte ndërruar jetë në vendngjarje”,-tha gazetari.Ai shtoi se kjo familje prej 6 muajsh ishte zhvendosur në këtë lagje dhe nuk njihej nga banorët e zonës, ndaj ende nuk ka informacione se çfarë mund ta ketë shkaktuar ngjarjen tragjike.