Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) thotë se nuk do t’i falë asnjë minutë Qeverisë në ardhje nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre për rritjen e pagës minimale.
Madje nga kjo sindikatë thonë se do të vazhdojnë trendin e protestave kushdo që është në krye të qeverisë, gjithmonë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.
I pari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi ka thënë se ndaj qeverisë së re do të jenë më të zëshëm e kritik.
“Ne do të jemi edhe më të zëshëm sepse zërin tonë po e fuqizon organizimi ynë sindikale, të cilin tash veç jemi të kënaqur me organizimin që kemi dhe nuk do të ia falim as një minutë askujt. Nuk i kemi falur as në të kaluarën as në të ardhmen. Edhe në të kaluarën kemi protestuar, kemi biseduar kemi arrit dhe nuk kemi arrit rezultate dhe ne do të vazhdojmë trendin nuk na intereson kush vjen dhe kush shkon, për neve është me rëndësi që kërkesat ligjore të cilat i takojnë punëtorit të sektorit privat duhet t’i jepen sepse përndryshe është koha e vlimeve”, tha Azemi.
Por, ai ka thënë se rritja e pagës minimale duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re.
“Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës gjithherë e ka një projekt një program që qeverisë së re ju ofrohet dhe ne e mendojmë që si prioritet i prioriteteve është paga minimale që ata e marrin një pagë prej 170 eurove. Ne pikërisht e kemi marr si një deklarim të ish-kryeministrit Albin Kurti kur me datën 5 mars 2020 është deklaruar që paga minimale e punëtorëve të sektorit privat nuk guxon të jetë nën 350 euro dhe ne do të ia vendosim mbi tavolinë qeverisë së re pa marr parasysh kush do të jetë. Pas pagës e cila nuk po mund të mbijetohet është nënshkrimi i marrëveshjes kolektive që në një far forme e relakson raportin mes punëdhënësit dhe punëmarrësit me të cilin mendoj që është kërkesë imediate e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, ka thënë ai për EO.
Tutje, Azemi tha se punëtorët teknik të përfshihen në listat e shtesave dhe pagesa e tyre të ekzekutohen në përpikëri.
Kryetari i SPSPK-së, ka theksuar edhe nevojën e rritjes së inspektimeve në vendet e punës, pasi siç thotë ai, numri i punëtorëve pa kontrata është tejet i lartë.