Dhjetë milionë euro që ishin të destinuara për rezervën shtetërore, nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Qeveria e Kosovës në një nga mbledhjet e saj kishte ndarë dhjetë milionë euro për rezervën shtetërore, që është në kuadër të MINT-it.
Më 23 shkurt 2022, kryeministri Kurti në mbledhjen e 62-të të Qeverisë kishte marrë vendim për ndarjen e 10 milionë eurove për rezerva shtetërore, raporton Demokracia.com.
“Qeveria është duke u siguruar që të përkrah sektorin e bujqësisë si është më së miri e më sigurt. Kemi aplikuar në programin për bujqësi për grantin prej 20 milionë eurosh për fermerët e vegjël. Do të kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore, që mund të mbushen me prodhime vendore”, kishte thënë Kurti.
Demokracia.com nga burime të mirëinformuara brenda Qeverisë së Kosovës ka mësuar se sasia për rezervën shtetërore është paguar, por malli i blerë ende nuk ka ardhur në Kosovë. Bëhet fjalë për disa produkte që do të duhej të vinin në portin e Durrësit, pasi ishte kryer pagesa për to, por kur zyrtarët e MINT-it kishin dalë t’i presin, sasia e paguar nuk kishte ardhur.
Deri më tani, mbi 60 për qind e sasisë së blerë muaj më parë për rezerva shtetërore, mësohet se nuk ka arritur në Kosovë.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, produktet e blera janë ato që parashihen me Ligjin për Rezervat Shtetërore. Nga ky skandal duket se ka pësuar Irfan Lipovica, i cili po e ushtronte detyrën e sekretarit të MINT-it, pasi ministrja Rozeta Hajdari e kishte liruar atë më pas nga detyra, duke e vendosur aty Arbër Gegajn.
Demokracia.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por deri më tani ky institucion nuk ka kthyer përgjigje për ta sqaruar gjithë këtë çështje.
Po ashtu, redaksia ka provuar ta marrë një qëndrim edhe të Irfan Lipovicës, por edhe ai ka qenë i pa qasshëm.
Duke i shfrytëzuar mundësitë ligjore, pasi që rezervat trajtohen si sekret shtetëror, as pagesa nuk dihet se cilave kompani u është bërë dhe rreziku është se miliona euro të taksapaguesve kosovarë mund të jenë avulluar. Malli i paguar afër 10 milionë euro nuk ka ardhur, përkundër që pagesat janë kryer, raporton Demokracia.com.
Kjo blerje ka ndodhur pa tender publik, pasi rezervat shtetërore trajtohen me ligj të veçantë dhe si të tilla janë sekret shtetëror. Vendndodhja, sasia dhe llojet e produkteve të rezervës shtetërore, po ashtu, janë sekret shtetëror.
Në nenin 9 të ligjit, për vendndodhjen e rezervave shtetërore thuhet se “Plani Strategjik dhe programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekret shtetëror”. Megjithatë, si rezervë shtetërore ajo duhet të ruhet brenda shtetit, pasi që vetë arsyeja pse blihet ndërlidhet me faza emergjente, si fatkeqësi natyrore, luftë dhe nuk hyjnë asgjë në shërbim nëse ruhen jashtë territorit të shtetit.
Qeveria Kurti po vazhdon ta mbajë të fshehur nga publiku gjithë këtë çështje, ndonëse rritja e rezervave shtetërore nuk figuron në asnjërin vendim të Qeverisë, përkundër që me vendimin e datës 23.02.2022 nr. 08/62, Qeveria Kurti ka ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 10 milionë euro, duke u thirrur në tri vendime, konkretisht në vendimin nr.13/19 të datës 14.07.2021, në vendimin nr. 12/31 të datës 25.08.2021 dhe në vendimin nr. 01/49 të datës 17.12.2021.
Në asnjërin prej këtyre vendimeve, ku aprovohet Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, nuk përmendet askund rritja e rezervës shtetërore. Pra, edhe vetë kërkesa për rritjen e rezervës e bërë nga MINT-i vlerësohet se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore.
Po ashtu, tri ditë pas vendimit për ndarjen e mjeteve, me vendim të Qeverisë, MINT-it i ishte aprovuar kërkesa edhe për përjashtimin nga procedurat e prokurimit për furnizim me produktet e rezervës shtetërore të mallrave.
Demokracia.com nuk ka arritur të mësojë nëse ka pasur komision të veçantë për këtë çështje, meqë procedurat janë anashkaluar, por sipas burimeve të afërta me ministren Rozeta Hajdari, në procesin e blerjes ka pasur shumë shkelje procedurale dhe ligjore.