Rasti i dhunimit të 11 vjeçares nga pesë të dyshuar tronditi opinionin publik vitin e kaluar. Institucioni i Avokatit te Popullit në prill të këtij viti ka dalur me një raport mbi këtë rast, ku janë evidentuar të gjitha gabimet dhe shkeljet ligjore të kryera nga institucionet përgjegjëse.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës Avokati i Popullit ka të drejtë të propozojë masa, nëse vëren shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve tjera shtetërore.
Më 31 gusht 2022, Avokati i Popullit ka hapur rast ex-officio në lidhje me rastin e dhunimit të 11 vjeçares nga 5 të dyshuar. Rezultatet e kësaj analize vënë në pah një sërë shkeljesh të bëra nga autoritetet shtetërore.
Ndonëse rasti për dhunimin e të miturës ishte inicuar më 28 gusht 2022, në bazë të hetimeve të zhvilluara Policia e Kosovës, më 21 qershor fëmija ishte raportuar si person i zhdukur, ndërkaq policia kishte filluar hetimin për identifikimin e elementeve të veprës penale të trafikimit me njerëz, përkatësisht fëmijës.
Meqenëse vlerësimi fillestar i rrezikut ishte i lartë, më 22 qershor e mitura ishte strehuar në strehimore nën përcjelljen e Policisë. Por, sipas Qendrës për Punë Sociale, prindërit e vajzës pothuajse në baza ditore kishin kërkuar me vendosmëri qe fëmija të largohej nga strehimorja pasi qe sipas tyre qëndrimi aty nuk ishte i përshtatshëm për moshën e vajzës.
Pavarësisht kësaj, gjatë takimit mes Policisë, QPS-së dhe psikologes të mbajtur më 21 korrik të 2022, policia kishte njoftuar se rreziku për vajzën ishte i njëjtë, pra kishte treguar se vlerësimi i rrezikut ishte i lartë. Megjithatë me kërkesën e prindërve dhe fëmijës, ajo ishte kthyer në shtëpi po në këtë ditë.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka ardhur në përfundim se autoritetet shtetërore edhe pse ishin të njoftuar për rrezikun e lartë që i kanosej fëmijës, kishin vendosur që fëmija të kthehej në shtëpi, duke i dhënë prioritet dëshirave të prindërve dhe fëmijës 11 vjeç, pavarësisht rrezikut të lartë.
“Kjo vërteton se autoritetet e përfshira në rast: prokuroria, policia, Strehimorja dhe QPS-ja, ishin në dijeni për ekzistimin e një rreziku real dhe të menjëhershëm të keqtrajtimit të fëmijës, i identifikuar si viktimë, nga veprimet kriminale të një pale të tretë”, shkruhet në raportin e IAP.
Kësisoj, Avokati i Popullit vëren se rasti i fëmijës viktimë është adresuar dhe trajtuar nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse , megjithatë qasja e zyrtarëve përgjegjës nuk ka qenë në përputhje me procedurat dhe standardet që kërkohen të zbatohen në rastet kur viktima është fëmijë. Njëkohësisht, institucionet e përfshira duhej të ishin në gjendje ta perceptonin dhe parashikonin më mirë rrezikun që i kanosej fëmijës, sesa prindërit e fëmijës që konsideroheshin laik në fushën e ligjit dhe sigurisë publike.
Rreth një muaj më vonë, më 28 gusht 2022, fëmija ishte paraqitur përsëri në polici, ku ishte hapur rasti për veprën penale të dhunimit. Me këtë rast, udhëzimet administrative garantojnë se fëmija gjatë proceseve duhet të mbrohet nga dëmtimi, përfshirë frikësimin, hakmarrjen dhe viktimizimin sekondar, ku përsëri sipas IAP, organet përgjegjëse kishin dështuar ta mbronin fëmijën.
Ndonëse, në të gjitha rastet ku janë të përfshirë fëmijët si viktima të dhunës duhet të aplikohet parimi i kryerjes sa më të shpejtë të veprimeve, sipas raportit të Avokatit të Popullit, kjo nuk është zbatuar në rastin e 11 vjeçares.
“Agjencisë së Kosovës për Forenzikë i janë dashur rreth 68 ditë që ta bënte ekzaminimin dhe tërheqjen e fotove-dëshmive të telefonit të viktimës. Tutje, AFK-së i janë dashur rreth 137 ditë që ta bënte ekzaminimin e ADN-së. Ndërsa Institutit të Mjekësisë Ligjore i janë dashur 90 ditë që ta dërgonte në prokurori raportin në formën fizike të ekzaminimit.”
Edhe Policia e Kosovës e cila kishte qenë në dijeni për disa emra të personave si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të dhunimit, nuk kishte ndërmarrë veprimet e duhura.
Gjatë hetimit të rastit, është vërejtur edhe moszbatimi i autorizimeve ligjore për vendbanim dhe qëndrim, ligj ky i cili rregullon lajmërimin dhe çlajmërimin e mysafirit dhe obligon mbajtjen e evidencave nga objektet turistike dhe hoteliere, përfshirë edhe motelet.
“Qiradhënësi i motelit, gjegjësisht personi i punësuar nga qiradhënësi, ka për obligim që t’i lajmëroj dhe ç’lajmëroj personat nën moshën 16 vjet kur vendosen së bashku me prindër, me kujdestarë apo anëtarë të ngushtë të familjes, duke mbajtur të dhënat: emrin dhe mbiemrin; numrin personal; datën e lindjes; gjininë dhe shtetësinë”, thuhet në raport.
Por, kur Prokuroria kishte lëshuar urdhëresë për personin përgjegjës të motelit ku dyshohej se ishte kryer dhunimi, ta lejonte tërheqjen e video-incizimeve dhe evidencën e vizitorëve, kjo nuk ishte e mundur. Kjo pasi që në motelin në fjalë ishin marrë vetëm të dhënat e tabelave të frekuentuara aty, por jo edhe të vizitorëve. Ky mosveprim, përpos shkeljeve ligjore, në rastin konkret kishte ndikuar negativisht në procesin e hetimeve.
Në kuadër të rekomandimeve të Avokatit të Popullit ishte konstatuar se ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të fëmijeve dhe është vlerësuar gabimisht dhe me pasoja të rënda për fëmijën prioritizimi i pëlqimit të fëmijës dhe prindërve për lëshimin e fëmijës nga Strehimorja. Njëashtu, u vërejt se pavarësisht mundësive ligjore nuk ishte ndërmarrë ndonjë masë shtesë mbrojtëse për fëmijën pas lëshimit nga Strehimorja.
U konstatua shkelje edhe për parimin për kryerjen sa më të shpejtë të veprimeve, gjë që ka penguar ndërmarrjen sa më të shpejtë të veprimeve mbrojtëse për fëmijën, përderisa edhe organet e hetuesisë që kishin dijeni për disa persona të dyshuar të përmendur nga viktima, nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim. Ndërsa sa ju përket ofrimi të shërbimeve psikologjike për fëmijën, Avokati i Popullit ka konstatuar se ky shërbim kishte qenë i vonuar.
Rekomandime nga ky raport IAP i’u ka dërguar Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Instiutit të Mjeksisë Ligjore, Komunës së Prishtinës si dhe Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.