Shpend Lushaku, avokat mbrojtës i gazetari Vehbi Kajtazi, ka thënë se akoma nuk ka ndonjë informacion nga ana e Prokurorisë lidhur me rastin e vendosjes së pajisjes GPS në veturën e gazetarit Kajtazi.
Sipas Lushakut, Prokuroria është akoma në vazhdën e hetimeve për zbulimin e plotë të çështjes, ndërsa ka kërkuar që përgjegjësit e atij akti të dalin para drejtësisë.
“Në cilësinë e përfaqësuesit të gazetarit Vehbi Kajtazi, dëshiroj t’ju informoj se lidhur me çështjen që po trajton Prokuroria deri në këtë moment nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar nga ana e saj për pronësinë e GPS-it të vendosur në automjetin e gazetarit në fjalë. Gjithashtu, dua të theksoj se jemi në monitorim të vazhdueshëm të rastit dhe mbetemi të palëkundure në kërkesën për zbardhjen e këtij rasti të paprecedent dhe kriminal. Meqenëse hetimet janë ende në proces, nuk dëshiroj të shpalos më shumë detaje deri sa Prokuroria të kryejë punën e saj me përkushtim dhe dinjitet, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Lushakut në Facebook.
Sot gjatë ditës gazetari Lirim Mehmetaj kishte raportuar se Prokuroriae ka konfirmuar që pajisja GPS e gjetur në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi vitin e kaluar, i takon AKI-së, megjithatë një lajm i tillë ishte demantuar menjëherë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në një komunikatë për media, organi i akuzës tha se deklarimet e tilla mund të dëmtojnë integritetin e hetimeve.
“Për çdo komunikim dhe lajm nga prokuroria do të njoftohet publiku, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën, pra përmes kanaleve zyrtare. Prokurori i shtetit do të vazhdoj në luftimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre dhe për këtë opinioni publik do të mbahet i informuar, deklarimet e tilla mund të dëmtojnë integritetin e hetimeve dhe nuk i shërbejnë zbardhjes dhe hetimit të veprave penale”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Më 23 tetor të vitit të kaluar, gazetari Vehbi Kajtazi kishte deklaruar se gjatë një servisi të rregullt të veturës së tij kishte gjetur një pajisje të dyshimtë gjurmuese të vendosur nën automjet.
Kajtazi e kishte gjetur pajisjen GPS të vendosur nën automjetin e tij rreth një javë pasi alarmoi mbi dyshimet se ai dhe disa gazetarë të tjerë, kritikë të pushtetit, po përgjoheshin ilegalisht nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Në fund të tetorit Prokuroria kishte autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme policore për zbardhjen e rastit, teksa rasti vazhdon të jetë nën hetime.