Mbi 160 mijë euro Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka shpenzuar më tepër për shujta krahasuar me atë sa kishte nevojë.
Këto gjetje i ka bërë Zyra Kombëtare e Auditorit, përmes një raporti të publikuar, të enjten. Në bazë raportit thuhet se janë paguar shujta për punëtorët të cilët s’kanë qenë fare në punë.
Këtë gjetje auditimi e ka bërë duke llogaritur praninë në punë të secilit punëtor dhe mjeteve të shpenzuara për shujta brenda një viti. “Ne kemi pjesëtuar numrin e orëve mujore të realizuara me orët ditore (prej 8 orëve) për të përfituar ditët e pranisë në punë.
Orët e fituara për praninë në punë e kemi shumëzuar me 2.5 euro për ditë dhe kemi përfituar shujtat të cilat do duhej paguar. Secili punonjës do duhej të kishte 176 orë evidentimi sipas ligjit të punës dhe diferenca me orët faktike të evidentimit shndërruar në ditë paraqet edhe bazën e mbi pagesës së shujtës”, është thënë në raportin e ZKA-së.
Në këtë raport pos tjerash thuhet se mungesa e kontrolleve e ka reflektuar një situatë të tillë.
“Mungesa e kontrolleve efektive të brendshme lidhur me vijueshmërinë e stafit në punë sjellë rrezikun e pagesave të parregullta pa ndonjë bazë të qartë ligjore të cilat e ngarkojnë buxhetin e RTK-së për shpenzime që nuk duhet paguar”, thuhet në raport.
Auditimi i RTK-së ka nisur vetëm në fund të vitit 2021. RTK-ja financohet direkt prej buxhetit të shtetit. Ky televizion vazhdimisht është përballur me Kritika për keqmenaxhim të parasë. /Express