Mbi 189 mijë euro dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës me qellim të përfitimit të paligjshëm dhe duke mos deklaruar fitimet kapitale, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, prandaj ndaj këtij të fundit Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë kallëzim penal dhe e ka deponuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në fund të vitit të kaluar, e të cilin e posedon Albanian Post.
“Si rezultat i kësaj dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës 194.278.43 euro. Bazuar në të drejtën e ankesës në vlerësimin e bërë nga ATK-ja, Ademi kë bërë ankesë pranë Departamentit të Ankesave dhe i njëjti më datë 26.10.2023 është lëshuar vendimi i cili konstaton pjesërisht të drejtë ankesën e tatimpaguesit dhe konstaton obligimin tatimor në vlerë prej 189.330.65 euro”, thuhet në kallëzim penal.
Sipas kallëzimit penal, nisur nga faktet e gjetura dhe të prezantuara i është propozuar organit të akuzës që pas shqyrtimit të provave të vazhdojë me procedurën penale ndaj të dyshuarit, respektivisht në ngritjen e aktakuzës ndaj kreut të FFK-së i cili e ka dhënë tokën në kompensim për ndërtim të përbashkët me biznesin “Konak Invesment” në lagjen “Veternik” në Prishtinë.
“Kontrata për ndërtim të përbashkët të objektit banesor e afarist dhe sipas ATK-së, respektivisht departamenti i Hetimit Tatimor dhe Inteligjencës ka dyshime të bazuara se i njëjti ka bërë shmangie nga tatimi për periudhat 2018-19 duke mos bërë deklarimin e saktë të tatimit, respektivisht fitimet dhe humbjet kapitale”, thuhet tutje në kallëzim penal.
Për këtë çështje, AP ka dërguar pyetje në Prokurorinë e Prishtinës, për t’i pyetur nëse është ngritur aktakuzë ndaj liderit të FFK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nga Prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkaq i kontaktuar nga AP, kryeprokurori i Prishtinës, Zujnullah Gashi, ka theksuar se nuk ka asnjë informacion për këtë rast.
“Nuk kam asnjë informacion për këtë rast”, tha shkurtimisht ai përmes telefonit.