Erden Atiq nesër do të betohet si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut. Përgatitjet për seancën solemne që do të nisë në orën 11:00 kanë shkuar në rregull.
Sadiku në një bisedë me median tha se pas betimit, kryetari duhet ta zgjedh nënkryetarin ndërsa asambleja do ta zgjedh zv/kryetarin për komunitete, “më pas bëhen drejtoritë dhe vazhdohet puna”.
“Që nga betimi, kryetari duhet ta zgjedhë nënkryetarin, pastaj ne si asamble duhet ta zgjedhim zv/kryetarin për komunitete. Kjo është çështje si në çdo komunë normale, nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Bëhen drejtoritë pastaj vazhdohet puna. E mira e kësaj është që për momentin jemi të bllokuar dhe jemi duke funksionuar vetëm me një drejtori. Shpresojmë që për të mirën e qytetarëve është që sa më shpejtë të funksionalizohet komuna me i ofru shërbime qytetarëve”, tha ai.
Sadiku përmendi edhe deklaratën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili kërkoi nga kryetarët e rinj të kenë “rol teknik dhe jo politik”. Sipas Sadikut, komunat nuk janë për ndonjë politikë të madhe.
“Ishte edhe prej ambasadës amerikane kërkesa që realisht jo veç kryetari i komunës sonë të vogël, por të gjitha komunat teknikisht i kemi, nuk jemi për ndonjë politikë të madhe, veprime të mëdha, te na fillon dhe mbaron me çështje të vogla të komunës, siç janë kanalizimi, ujësjellësi, mirëqenia, kulturë, sport. Do të jetë një ditë e thjeshtë si çdo ditë, nuk pres asgjë të jashtëzakonshme. Më në fund po u kthehemi normalitetit”, tha ai.
Ndërkaq, përveç Atiqit, betimin duhet ta japin edhe kryetarët e tri komunave në Veri- Izmir Zeqiri, Ilir Peci dhe Lulëzim Hetemi. Për kryerjen e kësaj procedure, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ende nuk kanë pranuar ftesë për seancë solemne.
“Jo ende kemi pranuar ftesën për seancën solemne në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për kryetarët e tjerë. Por jemi në koordinim e sipër, shumë shpejtë do të bëhet ftesa nga kryetarët dhe asamblistët tjerë”, tha ai.
Rezultatet e zgjedhjeve të 23 prillit u certifikuan më 28 prill, kështu 28 maji u vendos si afati i fundit për t’u betuar kryetarët e katër komunave veriore- Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Nëse deri më 28 maj nuk betohen, ata humbin mandatin,
“Kryetarë me rol teknik”
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.
“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, tha ai në një intervistë.
Ambasadori amerikan deklaroi se pret nga kryetarët e rinj që të marrin rol teknik dhe jo politik.
“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.
Hovenier tha se çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre, do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.”