LEZHË – Atentat me armë zjarri dy punonjësve të Bashkisë së Lezhës. Mapo mëson se shënjestra e autorëve kanë qenë Edmond Mhilli dhe Mirel Ndoka. Ata janë qëlluar nga një automjet teksa po lëviznin me makinë në qytet. Edhe pse ndaj makinës është qëlluar me breshëri, nuk raportohet për të lënduar. Plumbat kanë kapur pjesën e poshtme të automjetit.
Ngjarja ka shkaktuar momente frike dhe paniku te kalimtarët. Policia e Lezhës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për rastin. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Lezhës dhe vijon krehja e zonës për të pikasur autorët e të shtënave. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje e cila mund të rezultonte me një bilanc tragjik.