Michael Roth e ka kthyer formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në diskurs. Sipas tij, ky mekanizëm është parakusht për progres dhe se mund të bazohet në shumë modele europiane. Ai ka thënë se Asociacioni nuk duhet të jetë një Republika Srpska e re, por e konsideron si opsion një strukturë federale që nuk e kërcënon karakterin unitar të Kosovës.
Deputeti gjerman, Michael Roth, që dje në Kosovë ka realizuar takime me krerë të shtetit të Kosovës, përfshirë zyrtarin më përgjegjës, Kryeministrin Albin Kurti, ka krijuar kreditin e mjaftueshëm për të thënë edhe gjëra që nuk i pëlqejnë nikoqirit.
Arsye për këtë është fakti se ish-ministri për Evropë në Qeverinë e Angela Merkel, që tani mban pozitën e kreut të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Bundestag, kishte iniciuar një letër të nënshkruar nga homolgë të tij nga parlamentet europiane, përfshirë britaniken Alicia Kearns, amerikanin Bob Menendez, si dhe 56 ligjëvënës gjithandej Evropës, e cila u publikua në fillim të gushtit.
Në letrën që i drejtohej Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, kryediplomatit të BE-së Josep Borrell dhe Sekretarit të Jashtëm Britanik James Cleverly, kërkohej që të kenë qasje më të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë pas masave ndëshkuese që iu vendosen Qeverisë së Kosovës nga SHBA dhe BE për tensionet e fundit në veri, por të cilat nuk u implementuan edhe ndaj Serbisë.
Vuçiq përgjegjës për dhunën në Veri
Politikani socialdemokrat dje në një bisedë me gazetarë kosovarë, ku ka marrë pjesë edhe Gazeta Express, ka qenë i ashpër me Beogradin për sulmin ndaj KFOR’it në fund të majit në Veri, duke e akuzuar Serbinë dhe Presidentin e saj Aleksandar Vuçiq se i ka kaluar vijat e kuqe. Pak faj i la edhe Qeverisë së Kosovës.
“Përplasjet në Veri të Kosovës janë plotësisht të papranueshme dhe po Qeveria e Kosovës e merr përgjegjësinë për problemet e komunikimit dhe për disa gabime, por në fund Vuçiq ka përgjgjegjësinë për këtë turmën brutale që sulmoi ushatarët e KFOR’it dhe kjo është arsyeja pse serbët i kaluan vijat e kuqe”, ka thënë ai.
“Kurrë nuk kam pritur që një bandë do t’i sulmojë ushtarët e KFOR’it, sepse KFOR’i nuk është përfaqësues i shteteve koloniale. KFOR’i është ftuar nga Qeveria e Kosovës, nga shoqëria kosovare që ta marrë përgjegjesinë për paqen dhe stabilitetin këtu në vend dhe kjo situatë, për të folur sinqerisht, ishte neveritëse”, ka shtuar ai.
Asociacioni
Roth në bisedën me gazetarë kosovarë që e ka mbajtur pas takimeve me politikanë në Prishtinë ka folur edhe për takimin e ardhshëm në Bruksel për të cilin ka një mobilizm në Uashington dhe në qendrat europiane, Bruksel e Berlin.
“Qeveria ime, vendi im, mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së Ohrit. Gjermania dhe Franca e kanë prezantuar një koncept për negociata që kompromisi të bëhet më realist dhe shpresoj shumë se takimi i nivelit të lartë më 14 shtator do të sjellë rezultate konkrete dhe pozitive”, ka thënë tutje ai.
Roth është haptasi kundër sanksioneve që BE ia ka vënë Kosovës.
“I takoj një grupi të madh të politikanëve edhe në Gjermani dhe shumë vende tjera në BE që janë të bindur se sanksionet dhe masat ndaj Kosovës nuk janë reaksion i mençur dhe i përgjegjshëm dhe nuk do të zgjidhin asgjë”.
Ai nuk e di nëse ato mund të hiqen ashtu siç ka paralajmëruar Zëvendëskryeministri Bislimi në një intervistë për mediat në Serbi. Pikërisht kur përgjigjet rreth kësaj pyetje ia kërkon Kosovës implementimin e Asoacionit, duke thënë se ky mekanizëm mund të jetë një strukturë federale me një ndarje të drejtë të kompetencave që nuk është kërcënim apo rrezik për karakterin unitar të Kosovës.
“Është shumë e vështirë që të spekulohet për iniciativat e reja dhe për konceptet e reja, idetë e reja. Ishte mesazh imi për Qeverinë që të mbetet e përkushtuar ndaj dokumenteve që janë në tavolinë, që është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, që është kyç. Iniciativa franko-gjermane mund të jetë ndihmuese”, ka theksuar Roth.
“Përsëri çështja më delikate është AKMSHS, implementimi i Asociacionit. Që të jem shumë i qartë jam shumë kundër Republika Srpska’s 2.0 këtu në Kosovë, por një strukturë federale një ndarje e drejtë e kompetencave që nuk është kërcënim apo rrezik për unitetin e Kosovës mund të jetë opsion për t’i kapërcyer kontestet e së kaluarës dhe për t’i përmbushur zotimet që janë në tavolinë qe 10 vjet. Dhe mendoj se nuk dua t’i lë në hije bisedimet e nivelit të lartë me spekulime. Dhe të dyja palët e dinë se sa me rëndësi është që të ecet para që të pajtohen për rezultate pozitive”, ka thekuar Roth.
Ai ka thënë se Asociacioni është parakusht për progres, ndërsa i ka kërkuar palës kosovare që të bëjë propozime.
“Jam i bindur se të gjitha palët e dinë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës është parakusht për çfarëdo progresi. Por, pyetja 1 milion dollarëshe është se si është struktura, si mund të funksionojë. Do të ishte ndihmuese, nëse miqtë tanë këtu në Kosovë propozojnë disa ide në tavolinë, që ta bëjnë procesin më transparentë dhe më të dukshëm”, thekson Roth.
“E di se disa miq dhe aleatë nuk janë të lumtur me idetë gjermane dhe franceze, por është një iniciativë për ta kapërcyer status quo’në që është barrë për Kosovën. Mendoj se Serbia ndihet më rehat me status quo’në politike. E di se janë disa thashetheme për Serbinë e Madhe se ajo ekziston ende në mendjet e liderëve në Serbi. Kjo mund të jetë ashtu, por në fund jam shumë i sigurt se kjo ide, kjo ëndërr, ky vizion për Serbinë e Madhe nuk do të realizohet kurrë. Kjo ide destabilizon Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën”, ka thënë deputeti gjerman.
Cili mund të jetë modeli për Asociacionin?
“Nuk dua të spekuloj për idetë konkrete për formimin e këtij Asociacioni. Por, nëse e shikoni në Evropë, do të gjeni struktura që i shkojnë për shtati situatës politike këtu në Kosovë dhe nuk është puna ime që të mësojë publikun, liderët politikë në këtë vend apo në Beograd. Por, e përmenda një vijë të kuqe – duhet të evitojmë një situatë të ngjashme me Bosnjën e Herecegovinën, me Republika Srpska’n, që kurrë s’ka kuajtur rol konstruktiv në shtendërtim, forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Bosnjë”, ka thënë ai.
Edhe pse tash e sa kohë nuk është një temë që diskutohet në publik, Roth shprehet kundër këmbimit të territoreve.
“Shpresoj që liderët politikë në këtë rajon ta kuptojnë se shkëmbimi i territoreve nuk është opsion. Pastrimi etnik sjell luftë, por jo pajtimi dhe zgjidhja politike , jo paqja dhe stabiliteti”, ka theksuar ai.
BE s’ka qenë fer me Kosovën
Deputeti dhe kreu i komisionit parlamentar gjerman për punë të jashtme ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.
Duke e komentuar deklaratën e Presidentit të Francës Emannuel Macron, i cili heqjen e vizave e lidhi me procesin e dialogut, duke e lënë të hapur mundësinë që ato të liberaliziohen, Roth ka thënë se tani është koha që udhëtimi i kosovarëve të ndodhë.
“Jam i bindur se tani është koha për liberalizimn e vizave për njerëzit këtu në Kosovë. Suspendimi nuk është ide e mençur dhe e mirë. Nuk e di nëse kjo çështje, një çështje kundërthënëse dhe e ndjeshme ndërmjet dy qeverive (Francës e Gjermanisë), por i jam mirënjohës Kancelarit dhe Presidentit francez që morën përgjegjësi dhe zotim personal për t’i zgjidhur problemet në terren”, ka thënë Roth.
Roth më tej ka thënë se BE i ka zhgënjyer kosovarët.
“E di që shumë njerëz këtu në Kosovë janë të zhgënjyer dhe kanë humbur durimin sepse BE jo gjithmonë ka luajtur një rol të drejtë kur është fjala për Kosovën. Vetëm sa për ta ilustruar me një shembull, liberalizimi i vizave. Ka qenë shumë e padrejtë dhe shpreh keqardhje për këtë, që njerëzit në këtë vend është dashur të presin kaq gjatë për liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kushtet dhe kriteret shumë vitë më parë. Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë vend nuk i besojnë BE’së, nuk na besojnë ne”, ka thënë Roth