Spekulimet për një koalicion të mundshëm mes VV’së dhe LDK’së janë krejtësisht të pabaza. Zyrtarët e këtyre partive i kanë thënë Gazetës Express se nuk ka ndodhur asnjë takim joformal mes dy partive. Në LDK, madje, thonë se nuk e kanë as opsion një bashkëpunim të tillë. Për partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku aktualisht mbeten dy opsione; në opozitë ose në zgjedhje te reja.
Natën e 9 Shkurtit kur televizionet publikuan rezultatet e exit-polleve të tyre, shumica e partive patën arsye për t’u shliruar paksa nga barra e rëndë e një muaj fushate të egër.
Disi rezultati dukej jo edhe i keq për secilën veç e veç.
Për Vetëvendosjen ishte rezultat i mirë, meqë doli e para.
Për PDK, po ashtu, sepse shkoi pak a shumë tek shtrati i votave historike të saj.
LDK, që realisht kishte qenë tek 10 përqindëshi i votave në vitin 2010, nëse hiqet nga ekuacioni Behgjet Pacolli që kishte garuar atëherë me të, kishte edhe arsye të gëzohej sepse kishte shkuar afër 20 përqindëshit të votave.
Por, tash kur procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, secila parti ka arsye të jetë plotësisht e pakënaqur, sepse ndërtimi i Qeverisë – për këdo, duket secilën ditë e më i zorshëm. Asnjëra palë nuk i ka votat për ndërtim të qetë të institucioneve, ndërkohë që asnjërës nuk i konvenojnë koalicionet. Ose më saktë, secili koalicion ka barrë të rëndë për to.
Ditëve të fundit, janë shtuar zërat se Vetëvendosje e cila ka proklamuar se do ta krijojë Qeverinë e vetme, ka hedhur sytë drejt Lidhjes Demokratike të Kosovës. Madje, jo pak analistë nëpër studio televizive, flasin se tashmë është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje mes VV’së dhe LDK’së.
Burime të Gazetës Express kanë konfirmuar të mërkurën se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Express ka biseduar me një zyrtar të lartë të VV dhe LDK’së, të cilët kanë konfirmuar se nuk ka ndodhur asnjë takim me palëve. E madje, as kontakte krejtësisht joformale.
Zyrtari i lartë I LDK’së që foli në kushte anonimiteti tha se partia e tij nuk ka kurrëfarë vullneti për qeverisje me VV’në.
“Asnjë kontakt nuk ka ndodhur. Dhe, as që pritet të ketë. Kryetari i LDK’së e ka thënë qartësisht disa herë se e ka lexuar drejt rezultatin e zgjedhjeve të 9 Shkurtit”, tha zyrtari I LDK’së.
Por, çfarë nënkupton “të lexuarit e drejtë të rezultatit zgjedhor?”
“Nënkupton se ne jemi opozitë. Pra, LDK ka dy rrugë para vetës; Opozitën, ose zgjedhjet e reja”, tha zyrtari i LDK’së për Express.
Sipas rezultateve të deritashme, VV i ka siguruar 47 mandate, 7 prej të cilave uu takojnë partnerëve të koalicionit, Partisë Guxo dhe Alternativës. Këto ditë përfolej si mundësi që deputetët e Guxo të hyjnë në pazare koalicionesh nën ndërmjetësimin e Presidentes Osmani; e cila do t’ia siguronte vetës edhe një mandat në Presidencë, duke bindur LDK’në që të hynte në koalicion me Albin Kurtin.
Ky spekulim, për zyrtarin e LDK’së që foli për Express, është krejtësisht qesharak.
Por, nëse VV nuk arrin ta bind LDK’në, si mund ta ndërtojë atëherë ajo Qeverinë e ardhshme?
Bedri Hamza nga PDK, në një intervistë për emisionin Pressing të T7, ka thënë se nuk hyn në koalicion me Kurtin edhe nëse ai ia jep atij postin e Kryeministrit. Përfoljet kryesore janë që Albin Kurti mund të provojë një mundësi me Nismës e Fatmir Limajt dhe me deputetët veç e veç të partive tjera, por kjo nuk do t’i siguronte atij jetëgjatësi në postin e Kryeministrit meqenëse pas një viti në tavolinë do të jetë zgjedhje e Presidentit të ri, për të cilin kërkohen 80 vota.
Në të njëjtën kohë, po kaq e komplikuar duket edhe ndërtimi i një shumice nga ana e Opozitës, meqenëse aty janë tri parti diametralisht me pozicione të kundërta me njëra -tjetrën.