Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk i ka treguar arsyet e dorëheqjes së nënkryetares së saj, Shqipe Mjekiqi. Ajo nuk ka përmendur arsyet e vendimit të saj në letrën e dorëheqjes, kurse nuk ka qenë e qasshme për të dhënë më shumë informacione.
Nga e marta, Lidhja Demokratike e Kosovës ka një nënkryetare më pak.
Por, partia më e vjetër në Kosovë nuk ka treguar arsyet që çuan Shqipe Mjekiqin të dorëhiqej nga kjo pozitë dhe ajo e anëtares së kryesisë.
LDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Dukagjinit për këtë çështje.
E pa qasshme gjatë tërë ditës ka qenë edhe vet Mjekiqi, e cila në letrën e dorëheqjes nuk ka treguar arsyet e vendimit të saj.
Arsyet e dorëheqjes nuk i di as nënkryetari i partisë, Gazmend Muhaxheri.
“Jo nuk e di, edhe jam i befasuar si krejt të tjerët. I kemi pasur raportet shumë të mira me nënkryetare, por nuk e kam as idenë”, ka thënë Muhaxheri.
Në media është raportuar se dorëheqje ka dhënë edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
Por, në një reagim në Facebook ka mohuar se është dorëhequr nga partia, mirëpo nuk ka treguar nëse do të vazhdojë të jetë akoma zëdhënëse.
As Halimi nuk i është përgjigjur insistimit të televizionit.
Ky zhvillim brenda LDK-së, sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, meriton shpjegim nga ana e partisë.
Muhaxhiri thotë se mos transparenca dëmton imazhin e LDK-së, e cila synon që në të ardhëm të marrë drejtimin e vendit.
Ndryshimet e fundit në LDK u bënë në mars të vitit 2021 kur Lumir Abdixhiku mori drejtimin e partisë, pas dorëheqjes së Isa Mustafës.
Më pas, Abdixhiku krijoi ekipin e tij me disa figura të reja, duke lënë jashtë disa prej bashkëpunëtorëve të ish-kryetarit Mustafa.