Është e nevojshme që urgjentisht situata e tensionuar në veri të de-eskalohet dhe për këtë Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin menjëherë hapa konkretë. Kështu ka deklaruar Ndihmës Sekretari i NATO’s për Operacionet Tom Goffus, i cili sot ka takuar krerët shtetëror.
Nga zyrtari i NATO’s është kërkuar edhe që të dy shtetet të angazhohen menjëherë në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Këtë deklaratë të Goffus, e ka shpërndarë edhe zëdhënësja e NATO’s Oana Lungescu.
Pos këtyre, ndihëm sekretari i NATO’s për operacione në takimet e tij me krerët e shtetit të Kosovës, ka theksuar rolin thelbësor të NATO’s dhe KFOR’it në Kosovë.
“Është urgjente që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, tha Ndihmësi i Sekretarit të NATO-s për Operacionet Tom Goffus në Kosovë . Ai theksoi rolin thelbësor të NATO_KFOR”, ritheksohet deklarata e Goffus në postimin e zëdhënëses së NATO’s.
Kujtojmë së situata në veri u tensionua për shkak të zgjedhjës së kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.
Zgjedhjen e tyre e kundërshtuan serbët përmes protestave, të cilat eskaluan në dhunë duke u lënduar kështu dhjetëra ushtarë të KFOR’it.
Perëndimi, BE dhe SHBA, të dyja kanë kërkuar vazhdimisht de-eskalim të situatës. Po ashtu, të dyja këto kanë mbajtur përgjegjës qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në veri.
Madje, pak ditë më parë ndaj Kosovës u vendosën për herë të parë edhe sanksione pasi që qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti s’ka marrë parasysh kërkesat e BE’së për shtensionim të situatës në këtë pjesë të vendit.