Luan Hoti,asistent personal i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duket se po i jep ultimatum misionit të NATO- s në Kosovë që të ndërhyjnë në veri, ose në të kundërtën, FSK-ja t’i dërgojë trupat e saj për ta mbrojtur territorin.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka lënë të kuptohet se KFOR-i duhet të zotohet brenda 24 orëve që do ta mbrojë territorin e Kosovës.
Në të kundërten, sipas tij Kosova duhet t’i dërgojë trupat e FSK-së që ta mbrojnë vendin.
“Nese KFOR-i brenda 24 ore nuk zotohet që do te na mbroj territorin e Republikes se Kosoves, atehere Kosova ka obligim te dergoj trupat e FSK-se per ta mbrojtur territorin. Gjithashtu, policia duhet te vazhdoje te jete prezente dhe operative deri kur te gjithe kriminelet te dalin para drejtesise.” – ka shkruar ai.
Të mërkurën, xhandarmëria serbe, dyshohet se kidnapo tre zyrtarë policorë në pikën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Sipas Policisë së Kosovës, xhandarmëria serbe është futur 300 metra në territorin e Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.” – është thënë në komunikatën e policisë