Në Kosovë ka dhjetëra agjenci udhëtimesh që ofrojnë shërbime të transportit ajror, por qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka vendosur që paratë publike t’i derdhë vetëm tek një kompani e caktuar, shkruan Demokracia.com.
Presidenca e Kosovës ka finalizuar tenderin për furnizim me aviobileta. Vlera e tij është 273 mijë euro dhe, siç ndodh gjithmonë, fitues ka dalë kompania “AS Travel”.
Demokracia.com ka raportuar vazhdimisht se kjo kompani po i përpin krejt tenderët që lidhen me bileta udhëtimi nga institucionet publike.
Presidenca nuk është e vetmja që i dorëzon fondet publike kësaj kompanie. Para pak ditësh, Kuvendi i Kosovës ka dhënë një tender në vlerë 294 mijë euro për udhëtime me avionë. Parashikohet blerja e 600 biletave. Sipas njoftimit zyrtar: “Shërbime të udhëtimit me Aeroplan – Bileta. Data e nënshkrimit të kontratës: 06.11.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Emri zyrtar i kompanisë fituese: ‘AS TRAVEL CLUB’ SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës: 294,006.00 euro”.
Edhe Presidenca e Kosovës në tetor 2024 ka dhënë një tender prej 50 mijë eurosh për blerjen e biletave të avionit, përmes negocimit me vetëm një kompani dhe nuk kishte sesi të ishte ndryshe, gjithçka shkoi tek “AS TRAVEL CLUB”.
Ndërkaq, në gusht 2024, Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë një tender në vlerë prej 684 mijë eurosh dhe kontrata u nënshkrua me kontraktorin e preferuar “AS Travel”.
Madje, edhe në vitin 2023, e njëjta ministri ia kishte besuar këtë shërbim kompanisë së njëjtë për një vlerë të majme prej 741 mijë eurosh.
Lista vazhdon. Në janar 2025, Ministria e Zhvillimit Rajonal i ka dhënë një tender prej 20 mijë eurosh “AS Travel” për furnizim me bileta avioni.
Në dhjetor 2023, Ministria e Drejtësisë ndau një tender të madh të dhënë për bileta udhëtimi, 600 mijë euro. Ky tender, siç dihet tashmë, shkoi për “AS Travel”.
Komunat nuk mbetën pas. Në Shtime, e cila udhëhiqet nga Vetëvendosje, u realizua një tender me të njëjtën kompani.
Në nëntor 2024, Kamenica e drejtuar nga Kadri Rahimaj i Vetëvendosjes, ka dhënë një kontratë prej 40 mijë eurosh për 24 muaj tek “AS Travel Club”.
Po ashtu, në shtator 2023, Ministria e Punëve të Brendshme e Xhelal Sveçlës njoftoi për një kontratë prej 118 mijë eurosh për bileta avioni me të njëjtën kompani.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisië dhe Tregtisë ka dhënë një tender prej 72 mijë eurosh në qershor 2024 për bileta avioni, nëpër 200 destinacione të ndryshme të botës.
Ministria nuk ka shumë lidhje me udhëtimet e punët jashtë vendit, por duket se edhe Arben Vitia paska disa angazhime “përtej kufijve”, pasi anagzhoi “As Travel” në qershor të vitit të kaluar.
DOKUMENT | Arben Vitia e merr “botën”, shpenzon afro 30 mijë euro në bileta avioni
E në janar 2024, Ministria e Kulturës i shpërbleu “AS Travel” me një kontratë të re me vlerë mbi 710 mijë euro.
Ministria e Hajrullah Çekut blen bileta aeroplani me vlerë mbi 710 mijë euro
E vetmja pyetje që mbetet pa përgjigje është: A do të ketë ndonjëherë hapësirë edhe për kompani të tjera, apo tenderët e aviobiletave janë pronë e përjetshme e një kompanie? /Demokracia.com/