Arsenal nuk mundi të përballonte presionin e Manchester City në Etihad Stadium me Topçinjtë që u mposhtën me shifrat 4-1.
Tashmë, edhe pse mbeten në vend të parë me dy pikë më shumë se the Citizens, të besuarit e trajnerit Mikel Arteta nuk i kanë më në këmbët e tyre fatet e kampionatit. Cityt i duhet të rikuperojë edhe dy ndeshje dhe mund t’i parakalojë për t’i hequr shansin e një titulli që the Gunnars-ave iu mungon nga viti 2003.
Pas sfidës, trajneri Arteta e pranoi se City ishte skuadra më e mirë në fushë dhe se e meritoi fitoren ndërsa shtoi se djemtë e tij vuajtën shumë.
“E dinimi mirë se duhej të ishim në maksimumin tonë si individë, por edhe si skuadër për të fituar ndaj Manchester Cityt. Por, rezultoi se ishim shumë larg më të mirës sonë.
Nuk doja të ndryshoja taktikë ndaj Cityt, preferova t’i qëndroja besnikë lojës që na ka sjellë deri në këtë pikë.
Nuk mendoj se lojtarët ishin të frikësuar, por mënyra si e nisëm ndeshjen bëri që ata të vuanin shumë.
I hapëm punë vetes dhe më pas nuk mund të zhvillonim të qetë ndeshjen që kishim planifikuar.
Në fund, fitoi skuadra më e mirë në fushë. Në pjesën e parë mendoj se ishte City më i mirë i sezonit dhe ne nuk ishim në nivelin tonë.
Nuk ia dolëm dot. Nëse do të flisnim në fillimin e sezonit, gjithkush mendonte se do të renditeshim në vend të pestë apo të gjashtë. Jemi në pozitat që jemi dhe kanë mbetur edhe pesë ndeshje. Jam në Angli prej 22 vitesh dhe gjithçka mund të ndodhë.
City është një skuadër e mrekullueshme, por kështu jemi edhe ne. Na duhet që të merremi pak me anën psikologjike dhe mentalitetin e lojtarëve pas kësaj humbje, ata vuajtën shumë dhe nuk është e lehtë të rikuperosh.
Duhet të luajmë në të njëjtën mënyrë që kemi bërë këtë sezon dhe t’i rikthehemi fitoreve, më pas të shohim”, u shpreh Arteta