Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës ka arrestuar një zyrtar policor me gradën rreshter nën dyshimin se ka kryer veprat penale – fajde dhe detyrim.
Sipas njoftimit të IPK-së, informatat për rreshterin janë dhënë nga Policia Kufitare të cilët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë identifikuar të dyshuarin i cili ka rezultuar si person i kërkuar.
“IPK është njoftuar sot nga Policia e Kosovës, policia kufitare në ANP “Adem Jashari” ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar, zyrtari policor i cili ka rezultuar si person i kërkuar”, thuhet në njoftim.
Tutje është thënë se prokurori kompetent ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë ndaj të dyshuarit.
IPK ka thënë se ky arrestim është vazhdimësi e hetimit dhe operacionit të datës 22 shkurt 2022 të zhvilluar nga Drejtoria e për Hetime e Krimit të Organizuar në Prishtinë dhe Prokuroria Themelore në Pejë.
Sipas IPK-së në operacionin e lartcekur janë arrestuar 17 persona të dyshuar për veprën penale të fajdes dhe detyrimit .
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, është thënë tutje.