Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin e ndodhur të martën në Arllat, ku për pasojë kishte vdekur këmbësori. Ndërkaq, shoferi ishte larguar atë moment nga vendi i ngjarjes.
Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për RTV Dukagjini ka treguar se është arrestuar personi që ka shkaktuar mbrëmë aksidentin në Arllat, ku për pasojë ka mbetur i vdekur këmbësori.
Pas aksidentit të ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 shoferi i veturës ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Por, është ndaluar të mërkurën me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i cili dyshohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Ulaj ka bërë të ditur se Prokuroria dhe Policia po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi i dyshuar, për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet), i cili është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML, për t’iu nënshtruar obduksionit. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.