Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar se është arrestuar dhe ndaluar personi që dyshohet se sulmoi me granatë dore shtëpinë e Kryesuesit të Bordit të Trepçës, Bahri Hysenit.
Ai dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – njofton opinionin se pas një hetimi intensiv të kësaj prokurorie në bashkëpunim me policinë, është arrestuar personi i dyshuar me iniciale F.B., për shkak të veprave penale “Shkaktimi I rrezikut të përgjithshëm” etj.
I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës. Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim.