Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se ka arrestuar sot (enjte) avokatin, Besnik Berisha.
Berisha, bashkë me tre persona të tjerë që u arrestuan, dyshohet për “dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “ushtrimi i ndikimit”, shkruan Gazeta Papirus.
Të arrestuarit tjerë përveç Berishës janë N.Xh., I.S., dhe R.C.
Arrestimi i katër të dyshuarve ndodhi përgjatë një aksioni të Prokurorisë së Ferizajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Në këtë aksion, Prokuroria tregoi se realizoi një operacion ku janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet e gjashtë të pandehurve, që çoi në arrestimin e katër të lartpërmendurve.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Ferizaj:
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të i’u informoj në vazhdimësi lidhur me këtë aksion.
/Gazeta Papirus/