Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Branisllav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë gjatë aksionit për ndërtime pa leje.
Në njoftim thuhet se aksioni është duke vazhduar në Komunën e Shtërpcës, transmeton Telegrafi.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë duke e zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës.
Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Marrja e ryshfetit’, ‘Dhënia e ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimi.
Tutje, Prokuroria njofton se pas përfundimit të operacionit do të bëhen publike edhe detaje tjera.