Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar për arrestimin e Millosh Antoviq, 31 vjeç, i dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj forcave të KFOR-it gjatë protestës së mbajtur më 29 maj 2023 në Zveçan.
Sipas Prokurorisë, Antoviq është arrestuar nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, sulm ndaj personit zyrtar, shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit në vendbanimin e të dyshuarit, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe mjete të tjera që mund të jenë përdorur në veprimtari të jashtëligjshme. Mes provave materiale të sekuestruara përfshihen:
751 gram substancë e dyshuar narkotike,
292 gram shpuzore me substancë të dyshuar narkotike,
207 gram në tabak metali me substancë narkotike,
sasi të vogla të tjera të substancës narkotike,
një pushkë ajrore,
një peshore e vogël (e dyshuar për matjen e substancave narkotike),
12 pajisje për prodhim të kriptovalutave (Riga),
një telefon celular Samsung Galaxy S22 Ultra me numër serik dhe IMEI të identifikuar.
Prokuroria thekson se për pajisjet për prodhim të kriptovalutave do të merren masa të mëtejme nga Dogana e Kosovës dhe njësitë relevante të Policisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, brenda afateve ligjore, pritet t’i propozojë Gjykatës masën e sigurisë për qëndrimin e të pandehurit në procedurë.
Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, Marko Daniq, është gjithashtu nën hetim për pjesëmarrje në protestën e 29 majit 2023, ku 93 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Ai dyshohet për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë protestës, situata eskaloi pasi KFOR tentoi të arrinte një marrëveshje me Listën Serbe për të lejuar kalimin e dy autoblindave me zyrtarë drejt jugut të vendit – kërkesë që u kundërshtua nga protestuesit që donin tërheqjen e Policisë së Kosovës nga zona.
Sipas KFOR-it, gjatë përleshjeve në Zveçan u hodhën gurë dhe koktej molotovi në drejtim të trupave të tyre, duke rezultuar me plagosjen e rreth 25 ushtarëve të kontingjentit shumëkombësh.