Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e djeshëm që u zhvillua në disa lokacione në Kosovë, duke e çuar kështu në 17 numrin e të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”.
Operacioni i djeshëm ishte vazhdimësi i atij të nisur më 21 dhjetor të vitit të kaluar për dyshime për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës së disa zyrtarëve, lidhur me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Dyshimet për dallavere me ndërtime në Brezovicë kanë bërë që Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe Policia e Kosovës të zhvillojë bastisje sot në disa lokacione të vendit.
Përveç se në Prishtinë e në Ferizaj, këto bastisje janë kryer edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku janë arrestuar 7 persona, dy zyrtarë të këtij dikasteri dhe pesë qytetarë.
Në mesin e të arrestuarve është kryeinspektori i kësaj ministrie, Bedri Halimi.
Halimi ishte përmendur edhe në vitin 2019 nga organet e hetuesisë. Ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi ishte ngritur Aaktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Askohe ishte theksuar se Halimi dhe katër persona të tjerë, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohen për lejimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Parkut Nacional të Sharrit në Prizren.
Në pranga ka përfunduar edhe ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku.
Prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku, ka thënë se janë ngrirë rreth 6 milionë që dyshohet se janë përfituar nga veprat penale.
Ai thotë se edhe pesë persona të tjerë në këtë rast nuk janë gjendur në shtëpi në momentin kur janë kërkuar nga policia.
“Më e rëndësishmja është se gjatë zhvillimit të hetimeve, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë të pandehurit dhe familjarët e tyre kemi ngrirë rreth 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale”.
Ndryshe, më 21 dhjetor, Policia e Kosovës kreu aksionin në Shtërpcë lidhur me ndërtimet.
Në aksionin e mbajtur më 21 dhjetor në disa lokacione, në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish kryetari i Shtërpcës Bratislav Nikoliq si dhe disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave.
Vetëm Nikoliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, shkruan Reporteri.net.
Nga ky aksion i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si dollarë, franga zvicerane, lekë etj. Përveç kësaj janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri e telefona.
10 të arrestuarve më 21 dhjetor u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore e Ferizajt. /Reporteri.net